TIRANE - Çmimet marramendëse të apartamenteve ku në Tiranë vështirë të gjesh hyrje më lirë se 1000 euro metri katror, nuk i ka ndalur shitjet që kanë arritur në vlera rekord të 15 viteve të fundit.
Referuar të dhënave të INSTAT vetëm në 6-mujorin e parë të këtij viti transaksionet e përllogaritura në këtë sektor arrijnë në 66 miliardë lekë ose rreth 657,6 milionë euro.
Në raport me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar shitjet janë rritur me 79.6 milionë euro, pasi vjet në këtë periudhë shitjet në sektorin e pasurive të paluajtshme ishin në vlerën 578 milionë euro.
Në tremujorin e dytë të vitit prill-qershor, transaksionet në këtë sektor ishin në shifra rekord, pasi kapën shifrën 33.7 miliardë lekë duke u rritur me rreth 500 milionë lekë në krahasim me tre muajt e parë të vitit.
Ndikim në vlerën rekord të shitjeve ka dhënë rritja e çmimeve të apartamenteve, ku tashmë një metër katror në periferi të kryeqytetit ka arritur mbi 800 euro, ndërsa në zonat më pranë qendrës vijojnë nga mbi 1200 euro metri katror deri në 2100 euro metri sipas çmimeve të referencës.
Ndërkohë sipas çmimeve reale të tregut një metër katror në zonat VIP, ku përfshihet qendra apo ish Blloku një metër katror kushton deri në 4000 euro.
Referuar shifrave të INSTAT, në këtë periudhë sektori i pasurive të paluajtshme u rrit me 11,72 %.
Ndërkohë ndërtimi dhe aktiviteti i pasurive të paluajtshme janë kthyer në shtylla kryesore të ekonomisë së vendit, pasi ishin edhe dy fushat që ndikuan më shumë në rritjen ekonomike prej 3.23% në tremujorin e dytë të vitit.