Rrjeti SafeJournalists (SJN) dhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) kërkojnë që të hetohen denoncimet për shkeljet serioze të të drejtave të punës që prekin gazetarët dhe punonjësit e medias “Ora Sh.a.”, ndërsa shprehin edhe shqetësim për situatën e krijuar, duke kërkuar ndërhyrjen e organeve ligjzbatuese me nisje të hetimeve.
Ky transmetues ndodhet nën administrim shtetëror që nga shtatori i vitit 2023, por së fundmi, më 19 qershor, 10 punonjës të saj paraqitën edhe ankesë zyrtare pranë institucioneve shtetërore, ku denoncojnë shkelje sistematike të ligjit të praktikave të punësimit.
“Ne u bëmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të: Hetojnë menjëherë pretendimet e ngritura nga ish-punonjësit e ‘Ora Sh.a.’. Sigurojnë zbatimin e plotë të legjislacionit kombëtar të punës nga ‘Ora Sh.a.’ dhe administrata e saj”, thuhet mes të tjerash në reagim.
Mes shkeljeve të denoncuara janë pushimet kolektive e të paligjshme të 80 punonjësve që nga viti 2024 dhe në vijim, dorëheqjet e detyruara, ndërprerje e menjëhershme e marrëdhënieve të punës, heqja nga regjistrat e punësimit, mospagimi sistematik dhe të tjera, deri te mospagesa e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore.
Reagimi i 'SafeJournalists' dhe 'Federatës Evropiane të Gazetarëve':
“Rrjeti SafeJournalists (SJN) dhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) shprehin shqetësimin e tyre të thellë lidhur me akuzat serioze për shkelje të të drejtave të punës që prekin gazetarët dhe punonjësit e medias “Ora Sh.a.”.
Transmetues ky që ndodhet nën administrim shtetëror në Shqipëri, që nga shtatori i vitit 2023.
Më 19 qershor 2025, dhjetë ish-punonjës të ‘Ora Sh.a.’ paraqitën një ankesë zyrtare pranë institucioneve shtetërore shqiptare, ku përshkruajnë shkelje sistematike të ligjit dhe praktikave të punësimit. Këto akuza përfshijnë:
Pushime kolektive të paligjshme që kanë prekur rreth 80 punonjës të medias gjatë viteve 2024 dhe 2025, pa ndjekur procedurat ligjore të nevojshme.
Dorëheqje të detyruara dhe ndërprerje të menjëhershme të marrëdhënieve të punës pa njoftimin përkatës ligjor.
Heqje të pajustifikuara nga regjistrat zyrtarë të punësimit, duke u mohuar punonjësve të drejtën për të ushtruar të drejtat e tyre ligjore.
Mospagim sistematik nga ana e ‘Ora Sh.a.’ i kontributeve të detyrueshme për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për periudhën 2022–2025, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me legjislacionin shqiptar, në veçanti ligjin nr. 7703/1993 dhe ligjin nr. 10383/2011.
Shqetësime në lidhje me përjashtimin e mundshëm të ish-punonjësve nga procedurat e vijueshme të falimentimit të Ora Sh.a., ç’ka mund të rrezikojë të drejtat e tyre ligjore për kompensim dhe procedurë të rregullt ligjore.
Ne u bëmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të:
Hetojnë menjëherë pretendimet e ngritura nga ish-punonjësit e ‘Ora Sh.a.’;
Sigurojnë zbatimin e plotë të legjislacionit kombëtar të punës nga ‘Ora Sh.a.’ dhe administrata e saj, përfshirë pagesat në kohë të kontributeve të detyrueshme për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore;
Garantojnë transparencë në procedurat në vijim të falimentimit, duke siguruar mbrojtjen e të drejtave ligjore dhe financiare të ish-punonjësve;
Mbajnë përgjegjës të gjitha palët që kanë shkelur në mënyrë serioze të drejtat e punës.
Mbrojtja e të drejtave të punës për gazetarët dhe punonjësit e medias është thelbësore jo vetëm për të garantuar të drejtat themelore të njeriut, por edhe për të mbrojtur lirinë e medias dhe demokracinë në Shqipëri”.
Komente
