Kreshnik Spahiu mendon se kryeministri Edi Rama po krijon skenarë brenda vetes si lëvizje opozitare mediatike me urdhrat për shkarkimin e drejtorëve të bashkive, meqë opozita në Shqipëri duket se nuk ekziston më.
Teksa Sali Berisha prej dy muajsh nuk pranon zgjedhjet duke pretenduar farsën elektorale dhe nuk ka më mbështetje, Rama përpiqet të krijojë faktor opozitar brenda vetes.
“Në skenën politike ka dy lëvizje. E para është ajo e mazhorancës dhe Ramës për spastrimet në bashki. E dyta e opozitës me Berishën për mosnjohjen e zgjedhjeve. Të dyja si të ngjashme, por nuk prodhojnë, xhirojnë në vend. Kemi Ramën për të ndryshuar drejtorët apo administratorët. Mendoj se është si strategji në dukje që qeveria po lëviz: meqë s’kemi rotacion politik, e bëjmë administrativ. Rama krijon skenarë brenda vetes si lëvizje opozitare mediatike. Meqë s’kemi ndryshim partish, heqim disa drejtor bashkish. A thua se këta drejtorë kanë ngrënë kumbulla e dardha në kurriz të kryetarëve”, tha Spahiu për Report Tv.
Ai sugjeroi që më mirë do të ishte një reformë brenda aministratës lokale, me shkurtime, sesa me shkarkime drejtorësh.
“Më e udhës është shkurtimi i administratës, sepse heqja e tyre është thes me hiç. Ne nuk jemi 1 mld njerëz, apo si Pekini. Shqipëria është lagje e Berlinit apo Londrës, ka nevojë për administratë sa një lagje e Londrës. Nuk e kuptoj pse duhet 200 mijë administratë. Pjesa më e madhe e tyre rrinë në kafë apo rrinë në zyra duke luajtur në kompjuter. 10% punojnë. Më mirë të ketë reformë të ketë më pak e të paguhen më shumë, edhe trefish”, argumentoi juristi.
Ai mendon se kjo lëvizje e Ramës është një strategji, për të prodhuar një ngjarje kur nuk ka dhe për më tepër me çështjen që atë e bëri të suksesshëm si kryebashkiak me shembjen e kioskave në Tiranë.
“Por mendoj se është strategji e Ramës, një lëvizje brenda vetes, kur opozita nuk ekziston apo prodhon ngjarje brenda vetes, në bashki, si me prishje të ndërtimeve, ndryshime në bashki, e të krijohet ideja se ra pakënaqësia, u prekën pronarët që ndërtuan pa leje. Rama hyri në politikë me prishjen e kioskave, ku mori flamurin e suksesit kur ishte kryebashkiak, që i rezultoi e suksesshëm, e tani është rikthyer po aty, te ai moment. Sikurse atëhere, kur të gjithë u kënaqën që u liruan totuaret, tani të gjithë do kënaqen përsëri që po lirohen këto hapësira publike”, u shpreh Spahiu.
E njëjta situatë edhe në kampin tjetër, që hedh akuza për farsë elektorale, për të krijuar ngjarje dhe për t’iu shmangur përgjegjësisë së humbjes. Spahiu kujtoi rastin e Lulzim Bashës që e larguan sepse humbi, por vetë nuk largohen dhe po përdorin të njëjtat teza si ai për vjedhje votash.
“E njëjta gjë me Berishën, sulmoi Lulzim Bashën për dorëheqje gjithë kohën për humbjen e zgjedhjeve dhe tani nuk largohet vetë pas humbjes. Akuzonte Bashën që thoshte se zgjedhjet ishin vjedhur, tani thotë vetë se zgjedhjet janë vjedhur”, nënvizoi juristi.
Lajmi kryesor:
9 vite reformë në drejtësi/ Spahiu për Report Tv: Gjyqtarë dhe prokurorë ende e kanë frikë Ramën dhe Berishën!
A.Q/r.k./ReportTv.al
