Politikë

Konferenca e Kryetarëve vendos, Kuvendi voton më 9 qershor për shkarkimin e Metës! Balla: S'duam karrigen e Metës, emri i ri në bashkëpunim me opozitën

31 Maj 2021, 09:50| Përditesimi: 31 Maj 2021, 16:26

  • Share

Seanca parlamentare ku do votohet për shkarkimin e presidentit Ilir Meta do të mbahet më 9 qershor ditën e mërkurë, në orën 10:00. Vendimi u mor sot nga Konferenca e Kryetarëve në mbledhjen ku u diskutua për votimin e raportit të Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës, që u miratua më 28 maj.

Kreu i grupit Parlamnetar i PS Taulant Balla, tha se mazhoranca do të marrë kohën e duhur për të shqyrtuar raportin, ndërsa theksoi se  nevoja për shkarkimin e presidentit  është për të çliruar institucionin nga pengmarrja. Pas 9 qershorit Balla tha se mazhoranca nuk ka ardhur me qëllim që të caktojë në krye të presidencës një emër nga radhës e saj. Ndërsa në fund, dha edhe një koment të shkurtër për vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me ngërçin institucional mbi emërimin dhe shkarkimin e ministrave.

Komisioni hetimor ndërsa miratoi raportin për shkarkimin e presidentit, tha se u konstatuan 16 shkelje të Metës. Drejtuesi i komisionit Alket Hyseni i cili lexoi raportin përfundimtar tha se sjellja e presidenti duhet të ishte në unitet dhe ekuilbrues në jetën politikë të vendit, por kjo gjë nuk ka ndodhur pasi me deklaratat e tij si para dhe gjatë fushatës elektorale, gjuha e përdorur nga Ilir Meta ishte konfrontuese dhe e nxehtë duke dalë nga 'kostumi' i tij i presidentit dhe rolit të 'paqeruajtësit' në jetën politike të vendit.

Me firmën e 49 deputetëve të Kuvendit aktual, u kërkua hetimi i presidentit Ilir Meta. Për të shkarkuar kreun e shtetit, mazhoranca, sipas nenit 88 të Kushtetutës, duhet të marrë jo me pak 94 vota. Ndërsa fjala e fundit i mbetet Gjykatës Kushtetuese.

Kujtojmë se ky është komisioni i dytë hetimor që ngrihet për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Ilir Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkon shkarkimin e tij nga detyra. Ngritja e këtij Komisionit Hetimor, nuk është njohur nga vetë Meta, i cili përmes zëdhënësit të tij u shpreh se "s'do tolerojë asnjë intimidim nga mafia lokale e ndërkombëtare" dhe se ky vendim ishte antikushtetues dhe antiligjor. Ndërkaq Meta ndonëse është thirrur nuk ka pranuar të shkojë në asnjë mbledhje të komisionit.

Si nisën procedurat për shkarkimin e presidentit Ilir Meta? Për herë të dytë brenda dy viteve, Partia Socialiste nis procedurat për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta, për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Paralajmërimi i parë për shkarkimin e Metës erdhi fillimisht nga kryeministri Edi Rama, dy ditë para zgjedhje të 25 prillit, pasi Meta i shpalli luftë SHBA dhe ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Kujtojmë se Ilir Meta kishte paralajmëruar se do të jepte dorëheqjen por nuk e bëri një gjë të tillë pas zgjedhjeve. Ai ka thënë se do të kthehet në LSI në 2022, kur dhe i përfundon mandati i Presidentit. Nisur nga kjo, mazhoranca e njoftoi menjëherë nismën e saj për ta shkarkuar. Ishte vetë numri dy i PS-së, Taulant Balla i cili i pari konfirmoi një fakt të tillë, duke thënë se “do i bëjnë gati letrat e pensionit”. Ndërkohë që më i ashpër ishte Kryeministri Rama i cili tha se Ilir Metën e dënoi populli i Shqipërisë në mënyrën më spektakolare dhe Kuvendi  i Shqipërisë do të formalizojë këtë vendi. Kuvendi diskuton sot disa akte të rëndësishme normative për çështjen e vaksinave, dekrete të Presidentit Meta etj.

Ora 12:17
Balla: Shkarkimi i Metës, nevojë për të çliruar presidencën nga një pengmarrje, jo për të vendosur një emër nga PS! Presidenti i ri në bashkëpunim me opozitën

TIRANË- Shkarkimin e presidentit Ilir Meta, numri 2 i PS-së, Taulant Balla, e ka konsideruar si një nevojë për të "çliruar Presidencën nga një pengmarrje". Në vijimësi të këtij qëndrimi, Balla theksoi se kërkesa e PS për shkarkimin e tij nuk ka ardhur me qëllim që mazhoranca të caktojë në krye të presidencës një emër nga radhës e saj. Për Ballën, emri i ri i Presidentit do të bëhet në bashkëpunim me Kushtetutën.

" Rama ka qenë shumë i qartë, e nevojshme është që PS nuk e ka nisur shkarkimin e Metës si nevojë për të pasur një përfaqësues të saj, por iniciativa për shkarkimin e presidentit ka ardhur si nevojë për të çliruar Presidencën nga një pengmarrje dhe natyra për zgjedhjen e presidentit të ri do kërkojë kohën e ve dhe pse jo të mos jetë një paketë e rëndësishme me bashkëpunimin e me opozitën", tha Balla.

Në daljen e tij për mediat, fill pas miratimit në Konferencën e Kryetarëve, ku u caktua që seanca për shkarkimin e Metës do të mbahet në 9 qershor, Balla tha se mazhoranca do marrë kohën e duhur për të shqyrtuar raportin e hartuar nga Komisioni Hetimor.

"Do të marrin kohën e duhur për ta shqyrtuar. Kemi rënë dakord në konferencën e kryetarëve se seanca plenare për shqyrtimin e raportit dhe më pas për votimin të bëhet më 9 qershor. Kushtetuta është shumë e qartë që Kuvendi i Shqipërisë e përfundon procedurën e tij më 9 qershor dhe më pas, është një tjetër institucion kushtetues që është Gjykata Kushtetuese që e konstaton nëse shkeljet e konstatuara nga ana jonë janë apo jo shkelje të rënda", tha Balla.

Në fund, dha edhe një koment të shkurtër për vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me ngërçin institucional mbi emërimin dhe shkarkimin e ministrave.

"Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për dekretet ishte shumë i qartë që në këtë ndërthurje është Kuvendi që duhet të shprehet për dekret dhe ka çliruar cdo lloj ngërçi, institucionesh, e drejtë ekskluzive e kryeministrit, presidenti mund të certifikojë, në fund është Kuvendi ai që vendosë", përfundoi Sekretari i Përgjithshëm i PS-së.

Ora 11:24
Konferenca e kryetarëve vendos, seanca parlamentare ku do votohet për shkarkimin e Metës do mbahet më 9 qershor

Seanca parlamentare ku do të votohet për shkarkimin e presidentit Ilir Meta do të mbahet të mërkurën në 9 qershor. Kështu u vendos në mbledhjen e sotme në Konferencën e Kryetarëve.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?