Ilir Meta në Gjykatën Kushtetuese

Politikë

Shkarkimi i Metës, Kushtetuesja vendos kalimin në seancë plenare, por ende nuk ka një datë

15 Tetor 2021, 14:28| Përditesimi: 15 Tetor 2021, 17:15

  • Share

Pas më shumë se 4 muajsh nga vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta në Gjykatën Kushtetuese më në fund ka një lëvizje.  Kushtetuesja ka njoftuar sot se ka marrë vendim për ta kaluar ccështjen në seancë plenare, data e së cilës ende nuk është përcaktuar.

"Në Gjykatën Kushtetuese është në shqyrtim vendimi i Kuvendit të Shqipërisë nr.55/2021, datë 09.06.2021 “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”. Ky vendim i është dërguar Gjykatës Kushtetuese me shkresën nr.1368 prot., datë 14.06.2021 të Kuvendit të Shqipërisë dhe është regjistruar në këtë Gjykatë në datën 14.06.2021, me numër të Regjistrit Themeltar 6 (K) 2021.

Gjykata e ka marrë në shqyrtim paraprak këtë çështje në përputhje me afatet procedurale të parashikuara në ligjin e saj organik dhe në Rregulloren e Brendshme, ndërkohë që veprimtaria e saj për shqyrtimin e të gjitha çështjeve ka qenë e pezulluar për periudhën 1 gusht 2021 deri në 10 shtator 2021, e cila përkon me lejen vjetore të gjyqtarëve, në bazë të nenit 18, pika 1, shkronja “b”, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”. Në përfundim të shqyrtimit paraprak të kësaj çështjeje, bazuar në nenin 62 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, Gjykata vendosi: “Kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike”, data e së cilës do të caktohet në përputhje me rregullat procedurale të gjykimit kushtetues", thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Më 9 qershor 2021, Kuvendi i Shqipërisë, deputetët kanë votuar në favor të shkarkimit të presidentit, Ilir Meta me 104 vota, duke thënë se ai ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës. Deputetët e Partisë Socialiste në pushtet ngritën këtë Komision Hetimor parlamentar, i cili gjeti 17 shkelje të Kushtetutës nga ana e presidentit.

Shkarkimin e presidentit Meta, Partia Socialiste e ka konsideruar si një nevojë për të "çliruar Presidencën nga një pengmarrje". Kjo ishte nisma e dytë përmes një komisioni të dytë hetimor që ngrihet për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Ilir Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkon shkarkimin e tij nga detyra. Ngritja e këtij Komisionit Hetimor, nuk është njohur nga vetë Meta, i cili përmes zëdhënësit të tij u shpreh se "s'do tolerojë asnjë intimidim nga mafia lokale e ndërkombëtare" dhe se ky vendim ishte antikushtetues dhe antiligjor.  

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?