Ish-deputeti Lefter Maliqi ka komentuar situatën politike në vendin tonë, teksa e ka konsideruar shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj si antikushtetues. I ftuar në Report Tv, në emisionin ‘Fronline’ të moderatores Marsela Karapanço, Maliqi tha se zgjedhjet në 6 bashkitë e mbetura pa kryetar, duhet të ishin zhvilluar.
Po ashtu ai tha se shkarkimi i Veliajt është bërë për të tërhequr vëmendjen nga publikimi i OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 majit.
“Unë mendoj që duhet të ishin mbajtur zgjedhjet në 6 bashkitë. në 2007 unë dhe i ndjeri dhe Gert Bogdani, në momentin që kemi bërë betimin, është shpallur brenda 48 orëve vakanca dhe brenda 45 ditëve u bënë zgjedhje.
Tani jemi shumë vonë, ka tre javë që ka nisur Parlamenti dhe janë betuar deputetët. Unë mendoj që Rama këtë shkarkim antikushtetues mund ta bënte më përpara. Por e bëri në këto momente kur pritetet edhe raporti i OSBE-ODHR, ku ka zëra të ndryshëm brenda opozitës për protesta dhe aksionin opozitar, dhe ai tërheq vëmendjen siç bëri me Diellën dhe tani po e bën me Bashkinë e Tiranës”, tha Maliqi.
Ndërsa për pezullimin e vendimit të shkarkimit të Erion Veliajt, Maliqi tha se nëse presidenti Bajram Begaj do të shpallte datën e zgjedhjeve, Gjykata Kushtetuese do t'i rrëzonte.
“Çfarë nuk ndodh në këtë vend. Presidenti edhe mund ta shpalli datën, por nëse Gjykata Kushtetuese e rrëzon, do të ketë një kallëzim penal për Këshillin e Ministrave, presidentin e kështu me radhë. Çfarë nuk ndodh në këtë vend, mos të na duket si habi. Ajo ndodhi edhe me rastin e Olta Xhaçkës, që nuk e respektoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, se është ajo që kemi thënë për kapjen e të gjitha institucioneve, por nuk besoj se do të shkojë kaq larg dhe të dalë mbi Gjykatën Kushtetuese”, tha Maliqi.
Gjithashtu Maliqi tha se më burimet e tij, ka mësuar se ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako u dërgua në burgun e Durrësit, për t’i dhënë një mesazh Erion Veliajt.
“Mua bëhet qejfi që më në fund Erion Veliaj filloi të ndjehej. Unë kam informacione të sigurta, se i çuan për disa ditë ‘doktor’ Vangjushin atje dhe ai i mbati tensionin dhe i çoi mesazhin e ramës. Unë kam qenë Drejtor në Drejtorinë e Burgjeve dhe e di shumë mirë që kushtet e sigurisë në burgun e Durrësit dhe se kush e drejton. Mendoj që zoti Veliaj filloi të hedhë zëra se nuk ka çfarë fiton më.
Maliqi tha se nisur nga ankimimin i avokatëve të tij, Erion Veliaj sipas tij, do të ndjekë rrugën ligjore.
“Për mua është kjo, deri sa avokatët e tij bënë ankimim, ai do të vazhdojë rrugën ligjore sepse ndryshe do të ishte fundi i turpshëm i karrierës së tij politike. Duke e njohur zotin Rama, Veliaj nuk i besonte edhe kompromisit për të dalë nga burgu”, tha ai.
Ndërsa i pyetur nga Karapanço mbi aksionin opozitar, Maliqi tha se pritet raporti nga OSBE për zgjedhjet e 11 majit, që opozita të nisë protestat.
“Në parlament bëhet se çfarë do Rama. Edhe pse ne jemi Republikë Parlamentare, Rama ka kapur të gjitha institucionet. Që nga vendimi i fundit i Kolegjit Zgjedhor në 20 gusht për zgjedhjet, që për mua ishin farsë, do të pritet raporti i OSBE-së për zgjedhjet dhe do të shihet reagimi i ndërkombëtarëve. Pastaj do të shihet ideja për protesta që nuk do të jenë një apo dy orëshe”, tha Maliqi në Report Tv.
Komente
