Këshilltari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Endri Shabani ka folur pas mbledhjes së Komisionit të Ligjeve në Bashki, ku u fut në rend dite pika për shkarkimin e Erion Veliajt në mbledhjen e Këshillit që do të mbahet po sot në orën 16:00. Shabani tha për mediat se PS është vonuar për këtë kërkese, duke thënë se opozita e ka kërkuar prej kohësh. Pyetjeve të gazetarëve nëse u diskutua për kërkesën e Veliajt që të jetë i pranishëm në mbledhje, Shabani tha se nuk pati dakordësi, por sipas tij nuk ka përse të dëgjohet.
“Ligji është i qartë, pas 3 muajsh Këshilli Bashkiak i propozon Këshillit të Ministrave shkarkimin e tij. Pati një lloj debati se nuk janë përfshirë kërkesat e opozitës, unë jam përjashtuar nga mbledhja për këtë kërkesë, sot i erdhën mendtë anëtarëve të PS dhe po e votojnë. Është më mirë vonë se kurrë. U diskutua, nuk pati dakordësi. Ata thonin lë te vijë në çdo kohë, por e pengon prokuroria. S’ka ca të dëgjohet më se është fakt publik, Veliaj nga kjo zyrë këtu u arrestua më 10 shkurt. Nuk ka për çfarë të dëgjohet, është në kushtet kur duhej të kishte dhënë dorëheqjen për interesin publik. Këshilli i Ministrave duhet të marrë vendim për shkarkimin dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, tha Shabani.
Lajmi kryesor:
LIVE- Zhvillohet mbledhja e Këshillit Bashkiak Tiranë për shkarkimin e Erion Veliajt, Megi Fino: Vendim i imponuar për të zgjidhur ngërçin
SI.E./r.k./ReportTv.al