Pasi Erion Veliaj u shkarkua pasditen e kësaj të marte nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, ka reaguar sekretari i Përgjithshëm i PL-së Tedi Blushi.
Në një postim në rrjetet sociale, Blushi shkruan se këshilltarët socialistë votuan edhe vetë shkarkimin e tyre, pasi sipas tij, ata e kanë mbështetur Veliajn në çdo aferë korruptive dhe në çdo akt tjetër.
Postimi i plotë i Tedi Blushit:
Vota e këshilltarëve të PS për shkarkimin e Erion Veliajt është po ashtu një votë për (vet)shkarkimin e tyre.
Ata kanë mbështetur me votë dhe legjitimuar çdo aferë korruptive, çdo akt kriminal dhe çdo shkatërrim të qëllimshëm të Tiranës.
Të njëjtët që u ngritën në protesta me thirrjet “Lali Eri, o flori, po të presim në Bashki”, sot e përcollën nga Bashkia si kufomë politike.
Pa votat e tyre korrupsioni dhe krimet e Erion Veliaj do të ishin thuajse akte në tentativë.
Depersonalizimi i tyre është dëshmi e papërgjegjshmërisë në raport me interesin publik dhe taksat, i verbërisë politike dhe mungesës së shtyllës kurrizore dhe integritetit.
Nuk po flas për ata/o amfibë/e të neveritshëm që, me votat e opozitës, u infiltruan në atë Këshill dhe sot fshihnin kokën si strucat pas fundshpinës së këshilltarëve të PS, duke u vetvulosur në ballë me damkën e pështirë të shëmbëlltyrës së degraduar politike.
Ky shkarkim i Erion Veliaj është jo vetëm i domosdoshëm, por edhe shumë i vonuar. Ai duhet të shënojë fillimin e një procesi të thellë drejt llogaridhënies dhe rikthimit të Bashkisë te qytetarët.
Drejtësi për Tiranën!
Drejtësi për inceneratorin!
Drejtësi për Nënë Lizën!
Drejtësi për Ardit Gjoklajn!
Beteja për çlirimin e Tiranës vazhdon
Lajmi kryesor:
Këshilli Bashkiak i Tiranës voton me 50 vota për shkarkimin e Erion Veliajt, socialistët dhe opozita bëhen bashkë! Vendimin final e jep Këshilli i Ministrave
A.D/ReportTv.al