Burgu i Drenovës

Kronikë

Shkarkimi pas gjetjes së celularit në qelinë e Laert Haxhiut, nesër emërohet drejtori i ri i burgut të Drenovës

6 Korrik, 22:21| Përditesimi: 6 Korrik, 22:43

  • Share

Lorent Nake rikthehet si drejtor i Burgut të Drenovës, pas shkarkimit të Fatjon Fasho-s, pak ditë më parë për shkak të një celulari të gjetur në qelinë e të fortit të Lushnjës, Laert Haxhiu.

Mësohet se Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja do të dërgojë nesër emrin e ri të drejtorit Nake, i cili ishte dorëhequr nga ky post në shkurt të vitit 2024, pas një drejtimi prej rreth katër muajsh.

Shkak për largimin nga detyra të dy zyrtarëve Fatjon Fasho dhe Sokol Kacoli u bë sekuestrimi i një telefoni në qelinë e Laert Haxhiu, një i burgosur i sigurisë së lartë dhe i konsideruar me rrezikshmëri. Për sekuestrimin e telefonit, SPAK po kryen hetime duke kqyrur jo vetëm aparatin, por edhe duke bashkëvepruar me autoritete të tjera, pasi ka dyshime që bisedat e të fortit të Lushnjës janë sinjalizuar nga përgjimet që po mbahen për një çështje tjetër nën zhvillim e sipër.

Laert Haxhiu, i ekstraduar nga Greqia, akuzohet si kreu i një grupi kriminal me anëtarë që kryen të paktën 17 krime të rënda ndër vite në Shqipëri, të rrëfyera tashmë nga i penduari i organizatës, Artan Tafani, që po dëshmon edhe në GJKKO.

Haxhiu është dënuar me burg përjetë për masakrën e Lushnjës më 2017, ku u vranë  Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha dhe u plagosën dy të tjerë, ndërsa shënjestër ishte Xhulio Shkurti, nipi o ish kreut të bandës, Aldo Bare.

Aktualisht ai po gjykohet edhe për sagën kriminale të rrëfyer nga i penduari Tafani, në procesin që vijon në GJKKO.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron aksion për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?