Dritan Mehmeti do jetë trajneri i ri i Dinamos në Kategorinë e Parë. 18 herë kampionët e Shqipërisë njoftojnë se pas shkarkimit të Nevil Dedes, 43-vjeçari Mehmeti është vendosur në krye të ekipit. Tekniku do nisë nga puna, me objektivin e qartë që është Superliga. Për Mehmetin ky është një rikthim te Dinamo, me trajnerin që ka drejtuar skuadrën edhe në 2015. Veç Dinamos, Mehmeti ka drejtuar edhe Korabin, Partizanin A, B dhe U-21. Pjesë e stafit të Dinamos do jetë dhe ish-kapiteni Luan Pinari.
"Dritan Mehmeti është trajneri ynë i ri. FC Dinamo ka kënaqësinë të njoftojë emërimin e 43-vjeçarit në krye të 18 herë kampionëve të Shqipërisë. Mehmeti ka qenë edhe më herët pjesë e Dinamos si lojtar dhe trajner, duke drejtuar në fillimet e tij edhe skuadrat tona të moshave. Me emërimin e trajnerit Mehmeti, presidenti Adrian Bardhi plotëson edhe një dëshirë të tifozerisë dinamovite për të pasur në drejtim të skuadrës dikë që e njeh mirë ambientin dhe vlerat e klubit. Në këtë rrugëtim me qëllim rikthimin mes më të mirëve, pjesë e stafit do jetë një tjetër ish-lojtar dhe kapiten i yni, Luan Pinari", njofton Dinamo.