KF Tirana ka zyrtarizuar në stol Gugash Maganin, i cili do të jetë trajneri i ri i bardhebluve, duke zëvendësuar Bledi Shkëmbin.
Magani ka qenë trajner i Tiranës për dy sezone, kjo në periudhën 2013-2015. Nga 1 dhjetor 2013 deri më 17 maj 2015 e ka drejtuar Tiranën në 68 ndeshje në të cilat ka marrë 36 fitore, 19 barazime dhe 13 humbje.
Së fundmi Magani ishte në krye të Lushnjës, ndërsa dha dorëheqjen pas eliminimit në Kupën e Shqipërisë nga Oriku, në atë humbje në stadiumin “Roza Haxhiu”.
Më parë Magani ka drejtuar dhe Shkumbinin, Flamurtarin, Besën, Teutën, Egnatian. Po kështu ka drejtuar dhe Trepçën ’89 në Kosovë.
"Gugash Magani është trajneri i ri i KF Tirana. Klubi i Futbollit Tirana emëron në krye të pankinës bardheblu trajnerin Gugash Magani.
Magani ka qenë edhe më parë në krye të Tiranës në rolin e trajnerit dhe është njohës i mirë i kampit bardh’e blu. Ai sëbashku me Zv. trajnerin Klodian Dervishi kanë marrë nën drejtim skuadrën në seancën stërvitore të ditës së sotme", njoftojnë bardheblutë.