Mesues Maliq Torra sot me shkarpat per te ndezur zjarrin ne shkollen ne Mokren e mbuluar nga debora

Periferi

Shkarpat e mësues Maliqit

19 Janar 2021, 15:32| Përditesimi: 21 Janar 2021, 12:39

  • Share

Në Facebook ka shumë gjëra me vlerë që mund të shohësh: njerëz që punojnë, prodhojnë, zbukurojnë: djem e vajza që krijojnë, udhëtojnë në çdo cep të Shqipërisë. Faqja “Mokra jonë e bukur” është një perlë shqiptare që në çdo stinë, dimër, verë a pranverë, sjell freskinë e atyre anëve të bukura, të thjeshta të Shqipërisë. Sjell peisazhe, fshatra, shtëpi që shkëlqejnë në varfërinë dhe dinjitetin e një krahine të bukur.

Mëngjesin e kësaj të martë të ftohtë janari publikoi foton e mësues Maliq Torrës me cantën në një krah dhe një tufë të madhe shkarpash në krahun tjetër, në mes të dëborës, rrugës për në shkollë. Foton e pashë të ripublikuar nën alarmin e një skandali të madh nga miq në facebook që e mendojnë ndryshe nga unë, (prandaj ka vlerë cdo miqësi, e nga cdokush mund të mësojmë), e falë këtij publikimi u njoha dhe me faqen e mrekullueshme “Mokra jonë e bukur” të cilën do ta ndjek me kënaqesi që sot për bukuritë e mëdha që shpërndan.

Bashkia e Pogradecit, e shqetësuar, vrapoi të sqaronte se “shkollat e zonës së Mokrës kanë furnizim me dru dhe se shkarpat, mësues Maliqi, i përdor vetëm për të ndezur zjarrin”.  Edhe vetë mësuesi flokëbardhë, me hir a pa hir, i parë në qendër të vëmendjes që nga ish-Presidentë, ish-mësues, ish-këshilltarë, ish-doganierë, ish-tatimorë e të gjithë ishët e Shqipërisë së mobilizuar në ethe fushate zgjedhore për t’i dhënë fund, më në fund, statusit të trishtë “Ish”, tha se “ato shkarpa i përdor vetëm për të ndezur zjarrin për nxënësit e tij”.

Shpresojmë shumë. Urojmë nga zemra që mësuesi t’i thotë këto fjalë se kjo është e vërteta e tij dhe se nuk është kërcënuar se do të mbesë pa punë, apo që vendin e tij në Mokrën e largët ta dëshirojë ndonjë tjetër që ka dhënë nja 2 mijë apo 3 mijë euro për një vend pune në administratë (ishte kjo metoda e “tireve” rreth administratës apo jo?)

E ndërkohë ta pranojmë, ajo foto është një mesazh dashurie për të gjithë ne, e sidomos për disa të rinj që i bëjnë bisht punës edhe në të ngrohtë. Një mësues, në të kaluar të viteve të tij që shqetësohet të mbledhë shkarpat e holla e të thata që zjarri në stufat e klasës të ndizet sa më shpejt dhe sa më mirë. Eshtë një foto që vjen si një mesazh nga e shkuara për të tashmen: Puna, shkarpat, dashuria për të bërë një gjë të mirë nuk janë turp dhe as skandal. Çdo shkarpë në krahët e mësues Maliqit është simbol, e kunja në brinjë të kujt nuk ka bërë e nuk po bën punë që të mësohet ngrohtë e me kurrizin drejt në çdo cep të Shqipërisë. Kohë e humbur në gjithë këto 30 dimra të gjatë.

a.m.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?