ITALI- Detaje të reja janë zbardhur nga mediat italiane mbi operacionin e përbashkët Itali-Shqipëri që çoi në çmontimin e një rrjeti të trafikut të drogës. Operacioni në vendin fqinj ushtri në Firence dhe 9 zona të tjera, ndërsa në qytetin e Fierit në vendin tonë u arrestua personi që koordinonte veprimtarinë kriminale të njërit prej grupeve, Edi Hoxha i njohur edhe si Edison Hoxha.
Në total, 3 banda u shkatërruan, ndërsa si rezultat i operacionit në Itali u sekuestruan 24 kg drogë, 2 kg kokainë dhe 22 kg marijuanë, si edhe shuma parash.
Operacioni u bë i mundur pas një hetimi tre-vjeçar, i cili çoi në shpërbërjen e tre organizatave kriminale aktive në trafikun e drogës midis Italisë, Holandës dhe Zvicrës. Sipas hetimit, kishte tre grupe të përfshira në rrjetin e trafikut të drogës me lidhje transnacionale. Njëri, i përbërë ekskluzivisht nga shqiptarë, ishte i përfshirë në importimin me shumicë të kokainës nga Holanda në Itali.
Një grup tjetër dyshohet se eksportonte kokainë nga Firence në Zvicër për shpërndarje me pakicë, duke përfshirë hashash dhe marihuanë, të cilat realizoheshin në Firence, provinca të tjera të Toskanës dhe kantonin e Zyrihut. Organizata e fundit, një degë e së parës, përbëhej po ashtu, tërësisht nga shqiptarë, përfshirë një grua që ishte e përfshirë në importimin e sasive të konsiderueshme të hashashit nga Zvicra në Itali për shpërndarje me pakicë.
Operacioni i autoriteteve italiane përfshiu mbi 100 agjentë nga komanda provinciale e Firences dhe nëntë komanda të tjera nga po aq provinca italiane, me ndihmën e njësisë së qenve të Firences, për të ekzekutuar urdhrat e paraburgimit dhe për të kryer 20 kontrolle shtesë të njëjtit numër të dyshuarish. Operacioni u zhvillua në disa zona si Toskanë, Kampania, Lombardi, Abruco dhe Siçili.
Komente
