Një sukses i rëndësishëm, e ka konsideruar ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, operacionin për shkatërrimin e kartelit më të madh shqiptar të drogës. Sipas tij, kjo është një provë e besueshmërisë për policinë shqiptare në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare.
"Finalizimi i suksesshëm sot i Operacionit 'LOS BLANCOS' në 10 vende nën koordinimin e EUROPOL, në të cilin mori pjesë aktive edhe Policia e Shtetit, është një tjetër sukses i rëndësishëm, që provon edhe një herë pjekurinë dhe besueshmërinë e lartë të saj në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare.
Shkatërrimi i një grupi shumë të sofistikuar kriminal të përbërë kryesisht nga shqipfolës dhe kapja e një sasie të madhe kokaine dhe parash është një goditje e paprecedentë ndaj krimit të organizuar.
Meritojnë mirënjohje të gjitha agjencitë e vendeve që u angazhuan në këtë operacion si Italia Holanda, Greqia, Hungaria, Rumania, Gjermania, Spanja, Mbretëria e Bashkuar, Dubai dhe pa dyshim edhe Policia e Shtetit Shqiptar.
Ky operacion dëshmon edhe një herë nevojën e madhe, por dhe dobinë e jashtëzakonshme që ka bashkëpunimi ndërkombëtar në luftën ndaj krimit të organizuar, i cili mund të luftohet me sukses real vetëm kur agjencitë e zbatimit të ligjit bashkëpunojnë ngushtë në nivel operacional. Si sot", shkruan Lleshaj.
Lajmi kryesor:
Shkatërrohet karteli më i madh shqiptar i drogës! 5 vite hetime...4 ton drogë e kapur dhe 5.5 mln €! Kush janë anëtarët e bandës të arrestuar në Shqipëri (EMRAT)
B.K./ReportTv.al