Gjashtë grupe kriminale të përfshira në trafikun e drogës janë goditur nga policia spanjolle dhe EUROPOL, të cilët kanë arrestuar 197 persona me kombësi të ndryshme nga 29 hetime të kryera. Shqipëria renditet si shteti i parë me numrin e personave të arrestuar, ndërkohë që rrjeti kriminal ka qarkulluar në total rreth tetë ton drogë.
Europoli ka finalizuar një operacion të gjerë policor të shtrirë në kohë me arrestimin e 197 anëtarëve të grupeve kriminale që i përkasin 34 kombësive të ndryshme, kryesisht europianë.
Ministria e Brendshme Spanjolle tha se mes të arrestuarve ka edhe shqiptarë ndërkohë që 33 prej tyre ishin të arratisur nga drejtësia, të akuzuar për trafik droge, mashtrim, krime seksuale dhe vepra të tjera të dhunshme.
Operacioni është rezultat i 29 hetimeve dhe 114 kontrolleve në të cilat janë sekuestruar më shumë se tetë tonë drogë, dhjetëra armë zjarri dhe thika, automjete, pasuri të ndryshme dhe miliona euro. Europoli theksoi se grupet ku bënin pjesë të arrestuarit, ishin veçuar pasi kishin ndikim përsa i përket korrupsionit, përdorimit ekstrem të dhunës dhe armëve të zjarrit.
Ata kishin kapacitet të lartë për të kontrabanduar sasi të mëdha lëndësh narkotike në të gjithë Bashkimin Evropian.
Konkretisht, gjatë këtyre operacioneve, janë sekuestruar gjithsej 4.934 kilogramë kokainë, 1.790 kilogramë hashash, 1.316 kilogramë marijuanë, 1.73 kilogramë heroinë, 53 kilogramë lëndë sintetike, 3.300 pilula ekstazi, 28 armë zjarri, dhjetë thika, nëntë armë të një lloji tjetër, 4.251.585 euro cash, 38 bizhuteri me vlerë të lartë, 57 automjete, tri varka, prona me vlerë rreth 12.000.000 euro dhe llogari prej 10.000.000 euro.
Mes të arrestuarve, gjashtë persona janë anëtarë të organizatave kriminale të rrezikshme me aftësi të larta për të zhvilluar veprimtari të krimit të organizuar në Evropë. Ata janë përfshirë në trafik droge, vrasje, lëndime të rënda trupore, pastrimi i parave dhe posedimi i armëve (disa prej të cilave armë lufte).
Në listën e shteteve të origjinës së personave të arrestuar, renditen Shqipëria, Algjeria, Belgjika, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Kanadaja, Kolumbia, Danimarka, etj.