Shkatërrohen dy kolonat antike në Apoloni gjatë pandemisë, drejtoresha e Parkut: Javës që vjen nis restaurimi!

13 Qershor 2020, 16:50| Përditesimi: 13 Qershor 2020, 17:08

  • Share

Pas denoncimit të Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë për shkatërrimit e kolonave të Nymfeut të Apollonisë, një monument unik i shek. III p.e.s., për “ReportTV”flet edhe drejtoresha e Parkut Arkeologjik të Apollonisë Ornela Durmishaj. Ajo  thekson se si ky dëmtim është vënë re në muajin prill gjatë pandemisë, edhe është denoncuar në organet kompetente

“Ky dëmtim ka ndodhur gjatë datës 13 prill në fundjavë. Ne e kemi konstatuar të hënën, edhe e kemi raportuar në polici, ku janë marrë masat paraprake edhe për fillimet e hetimeve. Dëmtimi është dëmtimi i dy kolonave të monumentit të Nymfeut. Hetimi është nën proces. Kemi nis një raport në MK edhe përgjigjja ka qenë: Marrja e masave për ndërhyrje restauruese, edhe patrullim më të shpeshtë në territor, përpos bashkëpunimit me forcat e policisë për këtë akt të shëmtuar”.

Ndërsa, në një postim të Forumit të Trashëgimisë, prof. Neritan Ceka i drejtohet ministres së Kulturës, Elva Margaritit, duke e pyetur, se “deri kur do t’i mbrojë shkatërrimtarët?”.

“Zonja ministre e Kulturës, këtë monument të shkatërruar barbarisht 200 metra nga zyra e drejtoreshës së Parkut Apolloni - Bylis, e ka zbuluar miku i gjyshit tuaj, Hasan Ceka, të cilin e kam asistuar unë deri në zbulimin e plotë, dhe e ka restauruar Koço Zheku i Institutit të Monumenteve. Është i vetmi monument i këtij lloji në botën antike. Më thoni tani se me çfarë gjuhe duhet të flas me ronxho bonxhot që menaxhojnë këtë pasuri, që arkeologët shqiptarë e krijuan me aq mund për 50 vjet. Mund të më thoni perse nuk u rrethua monumenti me ato 800.000 eurot që shpenzuat ne Apolloni? Akoma do vazhdoni t'i mbroni këta shkatërrimtarë? Me shumë keqardhje dhe revoltë", shkruan Ceka.

Drejtoresha Durmishaj ndalet edhe tek restaurimi, që do t’u bëhet dy kolonave antike nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, duke nisur nga java që vjen.

 “Ne kemi bërë të gjitha raportimet, edhe kemi marrë të gjitha të dhënat, që kolonat të kthehen përsëri atje ku ishin pas restaurimit. Në këtë mënyrë shpresojmë, që brenda javës që vjen të nisim punën. Territori i Apolonisë është 700 hektarë, ruajtja bëhet nga rojet, jo vetëm të manastirit edhe të muzeut, por edhe të parkut, por duhen forca më të mëdha”.

Edhe pse sitet arkeologjike janë hapur që në datë 18 maj, numri i vizitorëve për shkak të pandemisë COVID 19 vazhdon që të jetë i paktë.

 

 

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?