GREQI- Policia greke ka goditur një rrjet të shpërndarjes së drogës në Mykonos që drejtohej nga një shqiptar. Ky grup e trafikonte kokainën nga Holanda në Athinë me destinacionin ishullin Mykonos. Pesë persona u arrestuan nga operacioni e ndërsa drejtuesi i grupit ishte një emër i njohur për policinë greke.
Policia njofton, se për goditjen e bandës së drejtuar nga shqiptari, janë angazhuar Forcat Speciale dhe dronë, ndërsa operacioni, është shtrirë në Mikonos dhe Athinë. Hetimi për grupin e drejtuar nga Kapaj ka nisur në tetor të 2020, pas informacioneve të marra në rrugë operative nga autoritetet greke.
Në fund të Prillit, anëtarët e bandës dyshohet se realizuan blerjen dhe transportin e 3 kilogramëve kokainë nga Holanda dhe e transportuan duke e fshehur në një makinë, ndërsa dega e grupit në Mykonos funksiononte me “klientë të zgjedhur”. Nëse vlera totale e kësaj sasie droge do të hidhej në treg do të ishte 84 mijë euro.
Goditja e grupit u realizua ditën e djeshme. Forca të shumta policie të ndihmuar edhe nga një dron arritën që të arrestonin katër persona. Në të njëjtën kohë në Athinë u kap “truri” i grupit kriminal, i cili fillimisht refuzoi kontrollin nga policia duke ikur me vrap, por u prangos pas ndjekjes.
Nga operacioni u kontrolluan 4 shtëpi në ishull dhe 4 në Athinë ku u sekuestrua kokainë, kanabis, peshore elektronike, një pistoletë, fishekë, një makinë dhe 6865 euro.
Shefi i grupit kriminal sipas mediave greke ishte një i skeduar për disa ngjarje kriminale duke filluar nga grabitje, tentativë vrasje, arratisje nga spitali i burgut duke hapur zjarr në drejtim të policisë, armëmbajtje, drogë dhe vepra të tjera penale.
Por në 2015 ai ishte lënë i lirë pasi i ishte pezulluar dënimi me 25 vite, që iu ul nga 47.6 vite në total.