Policia gjatë 24 orët e fundit për shkak të mos respektimit të masave anti-COVID ka gjobitur 737 qytetarë.
634 qytetarë janë konstatuar pa maskën mbrojtëse, ku 98 prej tyre janë evidentuar duke udhëtuar me mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo mjete të transportit publik, pa maskën mbrojtëse.
Gjatë 24 orët e fundit, është gjobitur edhe një lokal i vili ushtronte aktivitet në kundërshtim me protokollet e sigurisë.
Për sa i përket orës policore, e kanë shkelur gjithsej 4 qytetarë të cilët si pasojë janë gjobitur.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Policia e Shtetit
Nuk zbatuan masat anticovid, ndëshkohen me masë administrative 737 shtetas.
Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Gjatë 24 orëve të fundit, Patrullat e Përgjithshme kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 634 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.
Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative, 98 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.
Gjatë kontrolleve në subjekte të ndryshme, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 1 lokal që ushtronte aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për administratorin e këtij subjekti është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.
Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 4 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.
Në zbatim të masave anticovid, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.