Komisioneri për Tregtinë i Bashkimit Europian, irlandezi Phil Hogan njoftoi dorëheqjen nga posti pasi pranoi se kishte shkelur masat e izolimit të vendosura për frenimin e pandemisë nga Covid, duke marrë pjesë në një darkë të zhvilluar në një klub golfi në Galway, javën e kaluar ku morën pjesë 80 persona, përfshirë një ministër dhe një gjykatës të Gjykatës Supreme, vetëm 24 orë pasi qeveria e Dublin njoftoi masa për ndalimin e tubimeve të tilla.
Dorëheqja u bë publike menjëherë pasi kryeministri irlandez Michael Martin tha se sjellja zyrtarit të lartë "minoi tërë qasjen ndaj shëndetit publik në Irlandë".
Ditët e fundit, qeveria e Dublinit kishte deklaruar hapur se kishte humbur besimin tek komisioneri, i cili gjithashtu ishte thirrur nga Presidentja e Ekzekutivit të Komunitetit, Ursula von der Leyen, për të paraqitur një raport të detajuar për lëvizjet e tij në vendin e lindjes javët e fundit .
Pas skandalit, i pyetur nga media komisioneri kërkoi falje duke refuzuar largimin nga posti kurse Ministri i Bujqësisë Dara Calleary, i pranishëm në darkë, dha dorëheqjen
Dorëheqja e Komisionerit për Tregtinë i Unionit Europian vjen në një moment delikat për Ursula von der Leyen, e cila humbet njeriun përgjegjës për krijimin e marrëdhënieve të reja tregtare me Mbretërinë e Bashkuar dhe që ishte i angazhuar për të përmirësuar marrëdhëniet me SHBA-në.