TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka marrë zyrtarisht të pandehur kryetarin e Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Myzyri do të paraqitet të hënën e 30 qershorit në SPAK, së bashku me avokatin e tij Ermir Beta për t’iu komunikuar akuza dhe për t’u marrë në pyetje si i pandehur.
Ai po hetohet për veprën penale “Shkelje e barazisë në tenderë” dhe “Shpërdorim detyre” për tenderin për mirëmbajtjen e aksit rrugor Shpal-Ura e Repsit me gjatësi totale 58.7 km dhe me vlerë 2.29 milionë euro. Dosja po hetohet nga prokurori Elvin Gogaj, i cili ka vendosur të ndryshojë statusin e tij nga person nën hetim tashmë i pandehur. Jonaid Myzyri është paraqitur dy herë në Prokurorinë e Posaçme, ku është thirrur për të dëshmuar për hetimet një herë si person që ka dijeni dhe herën e dytë si person nën hetim.
Në listën e personave të pandehur që SPAK pritet t’i komunikojë akuzën gjatë javës së ardhshme janë dhe 3 anëtare të gjykimit të ankesave nga subjektet private në Komisionin e Prokurimeve Publike. Mësohet se të gjithë personat akuzohen për “Shkelje të barazisë në tenderë”, duke pasur në fokus pikërisht abuzimet me tenderin për mirëmbajtjen e rrugës “Rrëshen-Shpal dhe Shpal-Ura e Repsit”.
SPAK është duke hetuar procedurat e tenderëve përgjatë viteve 2020-2023 pasi ka dyshime të forta se janë zhvilluar pa garë, pasi në shumë raste rezulton pjesëmarrëse vetëm një kompani, e në raste të tjera, shoqëritë janë skualifikuar në mënyrë të padrejtë. Jonaid Myzyri u emërua në krye të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) në vitin 2020, për një mandat 5-vjeçar, me propozim të Këshillit të Ministrave dhe votim në Parlament. Me marrjen zyrtarisht të pandehur nga Prokuroria e Posaçme, Jonaid Myzyri i digjet mundësia për një mandat të dytë në krye të Komisionit të Prokurimeve Publike.
Komente
