‘Micro Credit’ i pezullohet licenca! Banka e Shqipërisë: Shkelje me kontratat e kredisë, s’mori masa për ndalimin e pastrimit të parasë

6 Mars, 15:38| Përditesimi: 7 Mars, 00:35

  • Share

Banka e Shqipërisë i ka pezulluar përsëri licencën institucionit financiar jo-bankë Micro Credit Albania. Ky subjekt nuk do të japë kredi dhe as të ristrukturojë kreditë e dhëna deri më 30 qershor 2024 qershor të këtij viti.

“Gjatë kësaj periudhe, subjektit i është lejuar të vijojë të trajtojë/ administrojë portofolin e kredive që ka të regjistruar në librat kontabël (arkëtimin e kësteve, ndjekjen e procedurave përmbarimore, ristrukturimin vetëm të principalit, interesit dhe maksimumit të lejuar të penaliteteve (30%), si edhe mund të shesë portofolin e kredive)”, thuhet në vendimin e Bankës së Shqipërisë.

Micro Credit Albania nuk ka ushtruar aktivitetin edhe përgjatë vitit 2023 për shkak të shkeljeve të shumta që u konstatuan nga Departamenti Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.

Ky subjekt sipas gjetjeve të bankës ka nuk kishte klasifikuar kreditë mbi bazën e riskut, nuk ka kryer një analizë të plotë financiare mbi aftësinë e paguese të klientëve të përmendur më sipër, por është bazuar në vetdeklarime të paverifikuara. Po ashtu Micro Credit nuk kishte caktuar kufizimin e penaliteteve në masën 30% të detyrimit kontraktor siç e parashikon kredia konsumatore, si dhe nuk ka një databazë me të dhëna të plota dhe të përditësuara për të gjithë klientët e tij – shkelje të rregullores “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.

Këto shkelje të konstatuara që vitin 2022 që sollën pezullimin 1 vjeçar në 2023 të subjektit, nuk u rregulluan thotë Banka e Shqipërisë.

“Gjatë kësaj kohe janë adresuar një pjesë e vogël e rekomandimeve të ekzaminimeve të mëparshme, ndërkohë që janë evidentuar përsëri shkelje të kërkesave rregullatore. Ndër më kryesoret, Departamenti i Mbikëqyrjes ka vlerësuar: dhënien e informacionit të pasaktë dhe jo të plotë në raportime periodike, në regjistrin e kredive dhe gjatë ekzaminimit në vend, paraqitjen e pasaktë të gjendjes financiare, (mos)klasifikimin e klientëve sipas kërkesave rregullatore për rrezikun e kredisë, mangësi të elementeve të transparencës gjatë plotësimit të aktmarrëveshjeve me klientët”, thuhet në vendimin e Bankës së Shqipërisë.

Përtej këtyre shkeljeve subjekti ka mashtruar për situatën financiare, pasi ka paraqitur pranë Bankës së Shqipërisë një situatë joreale të cilësisë së portofolit të kredisë.

Por konstatimi i shkeljeve kishte nisur që në vitin 2020, dhe ju lanë detyrat për të korrigjuar shkeljet. Pas një përmirësimi në vitin 2021, por ky rregullim ka rezultuar i përkohshëm pasi në vitin 2022 nga një kontroll në këtë subjekt u identifikuan shkeljet që shkaktuan pezullimin.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?