Jonaid Myzyri në SPAK

Kronikë

Shkeljet me tenderin 2.2 mln € të rrugës Shpal-Rrëshen, GJKKO heq masën e pezullimit të kreut të KPP! Jonaid Myzyri kthehet pas tre muajsh në detyrë

3 Tetor, 11:21| Përditesimi: 3 Tetor, 11:37

  • Share

TIRANË - GJKKO ka hequr masën e pezullimit nga detyra për kreun e Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri, i marrë i pandehur për shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publike. Në fuqi mbetet vetë masa e detyrim paraqitjeje. Kështu, Myzyri kthehet në detyrë pas tre muajsh pezullimi, vendim i cili u dha 30 qershor, ditë kur edhe iu komunikuan akuzat.

SPAK e akuzon Myzyrin për një tender me vlerë rreth 2.2 milionë euro në vitin 2020 për mirëmbajtjen e segmentit rrugor rreth 59 kilometra Rrëshen (Ura e Fanit)-Shpal, Shpal-Qafë Bene-Hadroj dhe Shpal-Ura e Repsit. Tenderi është zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar më 18 shtator 2020, proces në të cilin janë konstatuar shkelje të mëdha ligjore, të cilat KPP me kryetar Myzyrin i ka shpërfillur. 

Sipas SPAK, ky Komision, në kundërshtim me ligjin ka favorizuar bashkimin e kompanive AEK MUNELLA dhe DRINI-1, të cilat e kanë fituar tenderin 2.2 milionë eurosh me dokumente të falsifikuara. Në këtë proces ka pasur ankesa nga operatorë të tjerë, si “KTHELLA”, i cili është skualifikuar nga KPP me arsyetimin se oferta me vlerë më të ulët që kishte paraqitur ishte anormale. Në vendimin për skualifikim, thuhej se autoriteti kontraktor duhej ta refuzonte këtë operator për shkak të “riskut të lartë për mospërmbushjen e detyrimeve kontraktore”.

Për këtë procedurë prokurimi, krahas Jonaid Myzyrajt, u morën të pandehur edhe 10 të tjerë, 7 prej të cilëve të akuzuar për shkelje e barazisë në tendera publikë, kryer në bashkëpunim. Ndërsa tre personat e tjerë, Ardian Kaza, Ndoc Kulla dhe Gerald Adhiaj, akuzohen si të dyshuar për falsifikim dokumentesh. Kaza rezulton ish-administrator i AEK Munella, ndërsa Mehdi Lala i kompanisë Mela dhe Ndoc Kulla i kompanisë Jubica.

Jonaid Myzyri u emërua në krye të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) në vitin 2020, për një mandat 5-vjeçar, me propozim të Këshillit të Ministrave dhe votim në Parlament. Në janar 2025, Parlamenti shpalli thirrjen për garën e re për kryetar të KPP-së, kur po afrohej fundi i mandatit të Myzyrit. Në garën e re aplikuan tre kandidatë, ndërsa emri i Jonaid Myzyri iu dërgua parlamentit së bashku me Kreshnik Tërnovën si kandidatët për një mandat tjetër 5-vjeçar në krye të Komisionit të Prokurorimit Publik.

11 të pandehurit:
Jonaid Myzyri
Vilma Zhupaj 
Lindita Skeja 
Merita Zeqaj 
Enkelejda Bega
Vladimir Hodaj 
Marjana Hasani 
Mehdi Lala 
Ardian Kaza 
Ndoc Kulla
Gerald Adhiaj

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si ju duket?