TIRANË- Kreu i Prokurimeve Publike Jonaid Myzyri do të vijojë të qëndrojë nën masën “detyrim paraqitjeje”, ndërsa mbetet në fuqi edhe vendimi për pezullim nga detyra. Ai kishte ankimuar këto masa, të cilat iu rrëzuan nga Apeli i Posaçëm.
Më datë 24 qershor kreu i Prokurimeve Publike u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK. Akuza ka të bëjë me tenderin për mirëmbajtjen e aksit rrugor Shpal-Ura e Repsit me gjatësi totale 58.7 km dhe me vlerë 2.29 milionë euro.
Për këtë procedurë prokurimi krahas Jonaid Myzyrajt, janë marrë të pandehur edhe 10 persona të tjerë, 7 prej të cilëve të akuzuar për shkelje e barazisë në tendera publikë, kryer në bashkëpunim. Ndërsa tre personat e tjerë, Ardian Kaza, Ndoc Kulla dhe Gerald Adhiaj, akuzohen si të dyshuar për falsifikim dokumentesh. Kaza rezulton ish-administrator i AEK Munella, ndërsa Mehdi Lala i kompanisë Mela dhe Ndoc Kulla i kompanisë Jubica.
Shqyrtimi i procedurës nga ana e autoritetit kontraktor ka pasur paligjshmëri, të cilat Komisioni i Prokurorimit Publik nuk i ka marrë në konsideratë. Gjatë shqyrtimit të ankesës të procedurës së mësipërme, ky Komision, në kundërligjshmëri ka favorizuar bashkimin e operatorëve ekonomik; AEK MUNELLA dhe DRINI-1, ku pas veprimeve hetimore ka rezultuar se kanë paraqitur dokumente të falsifikuara.
Njoftimi i plotë:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi, sot më 28.07.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 53 akti, datë 21.07.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim J.M., me objekt: “1. Ankim ndaj vendimit nr. 61, datë 30.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Caktim mase sigurimi personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, si dhe të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale.
2. Ankim ndaj vendimit nr. 67, datë 04.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, si dhe të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale.” dhe vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 61, datë 30.06.2025 dhe vendimit nr. 67, datë 04.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
U shpall në Tiranë, më datë 28.07.2025.
Komente

Drejtesi driteSHKURTER
Përgjigju