Është mbajtur këtë fundjavë në Elbasan Arena Kupa e Republikës në Atletikë ku shkëlqyen sportistët Endri Rakaj dhe Luiza Gega. 23-vjeçari mori 986 pikë olimpike me rezultatin 7.30m në kërcim së gjati, ndërsa garoi dhe në disiplinën 100m, duke e mbyllur me kohën 10.99. Për rrjedhojë shkodrani u shpall kampion duke përmirësuar edhe kohën e tij, ndërsa Luiza Gega mori 1088 pikë me rezultatin 4.15.1 në dsiplinën 1500m. Atletja mori njëkohësisht vendin e parë edhe në disiplinën e 5000m.
“Gjithmonë vij për të bërë një stërvitje të mirë sepse duhet të vij në formë për garat ndërkombëtare që nisin javën që vjen kur do kemi garën e parë ndërkombëtare për këtë sezon, Ballkaniada në Izmir të Turqisë. Më 7 qershor më pas do jetë kampionati europian, që është edhe më i rëndësishëm. Pastaj foksuimi për Lojërat Olimpike me 1 gusht,”-u shpreh Luiza Gega, atlete.
Presidenti i federatës shqiptare të atletikës prioritet në këtë garë të parë verore kishte masivitetin.
“12 klube pjesmarrëse me afërsisht 170-180 atletë pjesmarrës. Sportistët më të mirë me klubet do jenë pjesë e ekipit kombëtar në ballkanikun e Izmirit pas një jave. Ne do shkojmë me sportistët më të mirë,”-tha Taulant Stërmasi, president i federatës së atletikës.
Në Kupën e Republikës në Atletikë për vajza shkëlqyen ekipet e Tiranës, Skënderbeut dhe Partizanit, ndërsa për djem Vllaznia dhe Skënderbeu.