Shkëlqimi i injorancës “VIP” përmes rrjeteve sociale dhe lulëzimi i letrave anonime!

28 Dhjetor 2021, 22:02| Përditesimi: 28 Dhjetor 2021, 22:08

  • Share

Çdo liberal, intelektual i majtë ose i djathtë, e adhuron figurën e Sokratit,” shkroi Jonathan Rauch në librin e tij të vitit 1991 “Kindly Inquisitors”, “i cili u ka mësuar njerëzve metodën e mendimit skeptik dhe rëndësinë e përulësisë intelektuale – të përpjekjes për të mbajtur parasysh ndryshimin midis asaj që ju dini dhe atë që mendoni se e dini.”

Por në epokën e mediave sociale, vetë Sokratit – i cili vdiq duke lënë pas si trashëgimi shprehjen e famshme: “Unë nuk di asgjë përveç faktit të injorancës sime”, mund të mos i kishte kushtuar rëndësi askush.

Kjo shprehje mbetet ende idealja për liberalët?

Apo ekosistemi i internetit e ka shkatërruar përulësinë intelektuale duke shpërblyer dhe duke i bërë jehonë injorancës me antivlerat që ajo mbart. Njerëzit përgjithësisht ngurojnë të zhyten në botën e kërkimit dhe të zbulimit të së vërtetës së sinqertë? Në rrjetet sociale kanë të gjithë akses të shpejtë, por libra pak njerëz kanë lexuar dhe akoma më pak besojnë në vlera. Nëse do të ndodhte ndryshe, shumica e njerëzve do të kishin shkëlqyer në shkollë, në sjellje, ose në ushtrimin e profesionit të tyre.

Prandaj edhe ky fenomen shpjegon adhurimin masiv sot të shoqërisë sonë, për personazhe që nuk përfaqësojnë asgjë, të cilët “shkëlqejnë” në disa emisioneve televizive si “Big brother”, “Përputhen”, “Love Story” etj, aq sa akademikët, profesorët, artistët e vërtetë dhe të gjithë heronjtë e punës e të vlerave të shoqërisë me të drejtë shqetësohen. Ku po shkojmë kështu?

Me fjalë të tjera, interneti inkurajon arrogancën epistemike – besimin se dikush di shumë më tepër se sa di. Biznesi dhe algoritmet e përshtatura të mediave sociale të internetit grumbullojnë shumicën e njerëzve kryesisht në “dhomat e tyre të injorancës, ku shërbehet përgjithësisht “ushqim i skaduar ose i helmuar falas’. Gjatë viteve të fundit edhe librat nëpër bibloteka kanë nisur të zënë pluhur.

Ndodh që broçkullat, injoranca, budallallëku njerëzor të brohoriten masivisht dhe të bëjë gjithmonë e më shumë jehonë “vlera zero”, ndërsa pikëpamjet e kundërta të saj vihen në lojë ose injorohen nga masat. Të rrëmbyer nga një turmë që beson se e di shumë më mirë sidoemos atë që nuk di, ne gradualisht humbasim aftësinë për vetëvlerësim të saktë dhe fillojmë ta besojmë gabimisht veten shumë më të ditur se sa jemi në të vërtetë.

Rrjetet sociale janë kthyer së fundmi, në një shqetësim botëror. Qeveritë dhe mediat po tregohen gjithnjë e më të kujdeshme, për të ndarë vlerat nga antivlerat që i serviren shoqërisë. Një shoqëri e papërgatitur si kjo e jona, e edukuar për të zbuluar “armikun” me letra anonime, veç të tjerave duket se ka gjetur “parajsën” edhe në këtë drejtim.

Nuk është më nevoja për të dërguar letra me postë, ose poshtë derës nga “dikush që të do të mirën”. Me një emër anonim, nëse ke dëshirën të fshihesh, mund të baltosësh dhe të degradosh me lehtësi falë rrjeteve sociale cilindo” armik të partisë dhe të popullit”. Ne si shoqëri kemi vërtetuar se e kemi të vështirë të hetojmë të vërtetën, kështu që na mbetet të ‘përqafojmë’ të gabuarën dhe bashkë me të, injorancën “vip”.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?