Shkëlqimi i Voskopojës, Thomo: Monumentet si dëshmi për arkitekturën, dhe muralet e piktorëve të famshëm si Selenica! Restaurimi sfidë, ja si u ndërhy në çatinë e “Shën Kollit”

16 Prill 2022, 19:57| Përditesimi: 16 Prill 2022, 20:08

  • Share

Nuk do të ishte e plotë historia e Voskopojës, pa monumentet e saj, sipas Pirro Thomos. Në kuadër të përurimit të botimit të akteve të konferencës shkencore  “Qytetërimi i Voskopojës dhe shekulli i iluminizmit në Ballkan” në Akademinë e Shkencave, studiuesi vë theksin tek rëndësia e objekteve të trashëgimisë që i kanë mbetur këtij vendi, si dëshmi e shkëlqimit kulturor e ekonomik që kulmoi në shekullin e XVIII-të.

“Monumentet e Voskopojës ka një vlerë shumë të madhe në shumë drejtime. E para vlerat arkitektonike që tregojnë në çfarë niveli arriti tipologjia ose ndërtimi i godinave të kultit në shekullin e XVIII. E dyta, arti. Janë të veshura me pikturë murale të realizuar nga kryemjeshtrit e asaj kohe. Për shembull më i famshmi i shekullit të XIX, David Selenica,  i cili ka një aktivitet shumë të madh jo vetëm tek ne, me Kishën e Shën Kollit të Voskopojës, por dorën e tij e gjejmë edhe në Malin e Shenjtë, në Selanik, në Kostur etj.”

Më i vjetri monument i gjendur 2 kilometra në veri të qytetit është Kisha e Shën Prodhromit, ndërsa për dimensionet më të mëdha, Thomo veçon Kishën e Fjetjes së Shën Mërisë.  Mbishkrimet e pikturat në mure, i shtojnë vlerat edhe Kishës së Shën Mëhillit, apo asaj të Shën Thanasit.

“Gërmadhat, rrënojat kanë zbuluar dhe shumë kisha të tjera ... këto tregojnë se që të ngrihen të tilla kisha me të tillë madhësi, me të tilla vlera arkitektonike, me këto vlera artistike të jashtëzakonshme duhet një shoqëri shumë e fuqishme qoftë nga ana kulturore që pranon të thërrasë piktorë nga më të fuqishmit, po edhe nga ana ekonomike, sepse tregon që ka mundësi të përballojë shpenzimet të tilla Plus pastaj të dhëna të tjera të dhëna për piktorë  si Selenica por edhe  vëllezërit korçarë Kostandin  dhe Athanas Zografi, që kanë një shtrirje të madhe gjeografike në Malin e Zi por edhe në Shqipëri, në  shumë kisha e manastire”, shprehet arkitekti restaurator.

Me muralet shekullore, mirëmbajtja e restaurimi i tyre ka qenë edhe më i vështirë, e megjithatë Thomo shpjegon, si është ndërhyrë në to...

“Që të bësh një restaurim kaq të madh të këto pikturave është një sfidë shumë e madhe për një vend. Por që t’i ruajnë çfarë është bërë? Është gjetur rruga për ndërhyrje emergjente, ndërhyrje shpëtuese. Përshembull, para disa vitesh u bë disa herë çatia e  kishës së Shën Kollit aty ku ku ka pikturuar David Selenica. Tani sapo mbaroi mbulimi i kishës së Shën Thanasit, ku kanë punuar vëllezërit korçar”, tha Thomo. 

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?