Bota

Shkëmbi marsian përmban ‘shenjën më të qartë’ deri tani të jetës së lashtë në Mars, thotë NASA

10 Shtator, 19:01| Përditesimi: 10 Shtator, 19:05

  • Share

Shkencëtarët besojnë se njollat e gjetura në një shkëmb nga roveri Perseverance në Mars vitin e kaluar, mund të jenë krijuar nga jetë mikroskopike e lashtë, njoftoi NASA të mërkurën. Ekipi ka publikuar gjithashtu një studim të rishikuar nga kolegë shkencëtarë në revistën Nature, por theksojnë se nevojiten studime të mëtejshme për të konfirmuar këtë.

“Pas një viti shqyrtimi, nuk gjetëm asnjë shpjegim tjetër,” tha Sean Duffy, administratori në detyrë i NASA-s. “Kjo mund të jetë shenja më e qartë e jetës që kemi gjetur ndonjëherë në Mars, çka është jashtëzakonisht emocionuese.”

Mostra, e quajtur Sapphire Canyon, u mor nga roveri Perseverance nga shkëmbinj në skajet e luginës Neretva Vallis — një zonë që dikur ishte e mbushur me ujë dhe derdhej në Kraterin Jezero më shumë se 3 miliardë vjet më parë. Roveri u ul në krater në shkurt 2021 për të eksploruar vendin e liqenit të lashtë dhe për të kërkuar shkëmbinj të formuar ose ndryshuar nga uji. Në korrik 2024, roveri shpoi mostrën Sapphire Canyon nga një shkëmb në formë shigjete, të quajtur Cheyava Falls.

Edhe pse mostra ndodhet e mbyllur dhe e sigurt brenda një tubi në Mars, shkencëtarët janë veçanërisht të interesuar për mundësinë që ajo të tregojë nëse ka pasur ndonjëherë jetë mikroskopike në planetin e kuq.

“Zbulimi i një biosignature të mundshme — një tipar që mund të lidhet me procese biologjike, por që kërkon më shumë punë për të konfirmuar origjinën biologjike — është rezultat i viteve të përkushtimit dhe bashkëpunimit midis mbi 1,000 shkencëtarëve dhe inxhinierëve të NASA-s dhe partnerëve ndërkombëtarë,” tha Katie Stack Morgan, shkencëtare e misionit Perseverance, gjatë një konference për shtyp.

Shkëmbi Cheyava Falls ka pika të vogla të zeza, të quajtura nga ekipi “fara lulëkuqeje”, dhe njolla më të mëdha të quajtura njolla leopardi. Instrumenti SHERLOC i roverit zbuloi komponime organike në shkëmb — molekula bazike karboni, që në Tokë janë blloqet ndërtuese të jetës.

Damarët e bardhë të kalciumit tregojnë se aty ka kaluar ujë, i domosdoshëm për jetë. Analizat me instrumentin PIXL zbuluan praninë e hekurit dhe fosfatit brenda njollave të zeza, dhe gjithashtu mundësinë e hematitit midis damarëve të bardhë. Këto elementë mund të jenë krijuar nga reagime kimike që lëshojnë energji dhe mund të mbështesin mikrobe.

Shkëmbi mund të ketë filluar si një përzierje balte dhe komponimesh organike, e cila u bë shkëmb me kalimin e kohës. Më pas, uji ka depërtuar në çarje, duke krijuar damarë minerali dhe njollat e veçanta.

Që nga ulja e tij në Mars, Perseverance ka eksploruar Kraterin Jezero dhe deltën e lashtë të lumit, duke kërkuar mikro-fosile të jetës së shkuar. Roveri ka mbledhur mostra që synohet të kthehen në Tokë nga misione të ardhshme, por NASA ende nuk ka një plan të qartë për këtë, duke u përballur me shkurtime të mundshme buxhetore.

“Jemi një hap më afër përgjigjes së një prej pyetjeve më të mëdha të njerëzimit: a jemi vetëm në univers?” tha Nicky Fox, drejtuesja e programeve shkencore të NASA-s./ CNN

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e re nis punën, besoni se do përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?