TETOVË, Maqedoni e Veriut - Shkëndija e Tetovës, klubi shqiptar i futbollit është kampion në Maqedoninë e Veriut për herë të pestë në histori.
Kuqezinjtë e drejtuar nga Jeton Beqiri mposhtën Rabotniçkin me rezultatin 2-1 në Tetovë dhe dy raunde para fundit sigurojnë matematikisht titullin e sezonit 2024-25 në Ligën elitare të Maqedonisë së Veriut.
NDESHJA - Të vetëdijshëm për peshën e ndeshjes, djemtë e drejtuar nga Jeton Beqiri u futën fuqishëm në lojë dhe qysh në minutën e 6-të kaluan në epërsi. Pas një presioni të lartë të kapitenit Ibraimi dhe një asistimi të saktë nga Florent Ramadani, Liridon Latifi shënoi për 1-0. Shkëndija dominoi pjesën e parë dhe në minutën e 33-të, pas një pasimi të bukur nga Alhassan, Fabrice Tamba kontrolloi topin në mënyrë perfekte dhe realizoi golin e dytë për festë kuqezi.
Në fraksionin e dytë ritmi ra disi dhe kjo u shfrytëzua prej miqve nga Shkupi. Një kontakt në zonë solli penallti për Rabotniçkin dhe Dalei realizoi për 2-1. Reagimi i Shkëndijës ishte i menjëhershëm me një super goditje të Ibraimit, mirëpo portieri Aleksovski bëri pritje spektakolare. Në anën tjetër, një ndërhyrje vendimtare e portierit Amzai në minutën e 73-të ruajti epërsinë e Shkëndijës.
Me përfundimin e takimit nisi festa e madhe në fushë, ndërsa lojtarët, në mungesë të tifozëve në tribuna për shkak të dënimit, dolën në ballkonin e stadiumit për të ndarë emocionet me tifozët dhe “Ballistët” që ishin mbledhur jashtë stadiumit për të përkrahur ekipin.
Veç këtij sezoni, Shkëndija e ka fituar titullin kampion në vendin fqinj edhe në sezonin 2010-11, 2017-18, 2018-19 dhe 2020-21. Gjithashtu Shkëndija sheh edhe dy trofe të Kupës së Maqedonisë së Veriut në sezonet 2015-16 dhe 2017-18.
Komente
