AZERBAJXHAN, Baku - Këtë të martë në orën 18:00 në stadiumin 'Tofiq Bahramov' në Baku të Azerbajxhanit, Shkëndija e Tetovës luan kundër vendasve të Qarabag. Dueli vlen për sfidën e kthimit në turin e tretë të Champions League. Përballja e parë në Shkup u fitua minimalisht 0-1 nga Qarabag dhe Shkëndija, kampione e Maqedonisë së Veriut kërkon përmbysjen.
Klubi shqiptar duket gati për historinë dhe nëse kalon me sukses këtë duel më së paku siguron grupet e Europa League. Në prag të ndeshjes për mediet foli trajneri i kuqezinjve, Jeton Beqiri.
Numri një i stolit tha se të tijtë nuk kanë çfarë humbasin dhe do futen në fushë për të shënuar. Një javë më parë ndeshja u vendos nga një penallti, me tetovarët që kishin shanse të mira dhe zhvilluan një ndeshje me nivel.
"Është shumë e rëndësishme që të kuptojmë se ne në këtë ndeshje nuk kemi situatën se çfarë do të humbim nga ndeshja e parë, për shkak se ne kemi humbur atë. Është e rëndësishme që të futemi në lojë dhe të provojmë gjithçka për gjithçka.
Të jemi një skuadër e organizuar, skuadër e cila do të jetë agresive në sulm, normalisht edhe do të mbrohet mirë dhe është e rëndësishme që disa nga ato rastet e krijuara, të shënojmë dhe pastaj në futboll gjithçka është e mundur, unë kam shumë shpresë se do të bëjmë një paraqitje të mirë dhe shpresoj që ne të jemi skuadra që do të gëzohet në fund.
Sfida e parë? Ne nuk u paraqitëm mirë në pjesën e parë në ndeshjen në Shkup. Besoj që edhe ajo që përmenda më herët, freskia fizike kishte ndikimin e vet, por e rëndësishme është që rezultati ende është aktiv dhe ne kemi shpresë se këtu do të luajmë më mirë, kemi shpresë se do të bëjmë një ndeshje të madhe dhe besoj që ne do të jemi ata që në disa momente do ta rrezikojmë Qarabagun, për shkak se presioni psikologjik nuk do të jetë në anën tonë dhe ne do të tentojmë të fitojmë dhe normal të kualifikohemi", tha Jeton Beqiri.
Ndërkohë, mesfushori Kamer Qaka tha se duhet të bëjnë një ndeshje të fortë.
"Presim një ndeshje të vështirë, por kemi shpresa të mira për lojën. Do të bëjmë një ndeshje të fortë përballë një kundërshtari shumë të fortë dhe do Zoti dalim me fitore.
Nuk kam asnjë lojtar të preferuar. Është një lojë ekipore dhe është skuadër shumë e fortë. Ne hyjmë në lojë për të fituar ndeshjen. Kështu mendojmë të gjithë lojtarët, jo vetëm unë. Por, do të jetë shumë sfidë e vështirë, por ne do të shkojmë për rezultat pozitiv", tha Qaka.
Komente
