Pas reshjeve të shumta dhe erërave të forta shumë zona në vend mbetën pa energji elektrike, kryesisht në zonat e thella malore. Administratori i OSSH Petraq Lika, tha në një lidhje skype për Report TV që aktualisht vetëm 8 linja janë të dëmtuara dhe po punohet për ti riparuar kryesisht në Korçë dhe në Kukës.
“Situata është e qetë në të gjitha drejtimet. Aktualisht 1200 linjat që ka në funksion operatori i shpërndarjes, vetëm 8 linja janë në riparim e sipër, problemet janë më shumë në Kukës dhe Korçës që janë zona problematike nga pikëpamja klimaterike”, u shpreh Lika.
Lika shtoi që për të rregulluar problemet e shkaktuara nga kushtet klimatike, janë angazhuar 2200 punonjës.
“Janë rreth 2200 punonjës të OSSH në të gjithë vendin që kontribuojnë në lokalizimin e defektit dhe zgjidhjen e problematikave”, pohon Lika.
Shkak për shkëputjen e energjisë në zonat malore, sipas administratorit të OSSH, është edhe fakti që 82% e rrjetit të shpërndarjes në Shqipëri është në vijë ajrore.
“Mos harrojmë që rrjeti i shpërndarjes është 82% në vijë ajrore dhe është i ekspozuar ndaj kushteve klimaterike, dhe kryesisht probleme ka në zonat e thella rurale”, sqaron administratori i OSSH.
Lika pati edhe një mesazh për qytetarët në prag të festave.
“Qytetarëve ju them se do të kenë energji elektrike pavarësisht ndërprerjeve apo kushteve të ndryshme klimaterike. Është detyrim i operatorit për ti shërbyer qytetarëve”, shtoi Lika.