Gjendet në Tiranë 15-vjeçari nga Shkodra i zhdukur prej dy ditësh, u nis për në shkollë por s'u kthye më! Babai: U largua se i bërtita

12 Nëntor, 12:09| Përditesimi: 12 Nëntor, 18:36

  • Share

SHKODËR- 15-vjeçari, Aurel Bibaj nga Postriba e Shkodrës, i cili prej dy ditësh kishte humbur kontaktet me familjen, është gjetur sot në zonën e Babrrusë,Tiranë. Para se djali të gjendej babai i tij, Agim Bibaj tregon se i biri ishte nisur mëngjesin e 11 nëntorit për në shkollë, por nuk kishte hyrë në mësim. U raportua se adoleshenti ishte larguar në drejtim të paditur, ndërsa babai bëri denoncimin në polici për zhdukjen e tij.

“Quhem Agim Bibaj, djali më ka humbur dje, është nis për shkollë, s’ ka hyrë , shokët e tij kanë hyrë në shkollë, ai s’ka hyrë në shkollë. Unë kam ik në punë herët, e kam lënë duke fjetur", tha babai i 15 vjeçarit për Report Tv.

Bibaj tregon për Report Tv se ditët e fundit i ka tërhequr vëmendjen për sjelljen jo të mirë, ndërsa 15-vjeçari e ka shprehur shqetësimin tek shokët.

"Kur jam kthyer prej pune më tha nusja që nuk ka ardhur hala, e kam denoncuar në polici rreth orës 16:30, policia ka bërë tërat të mirat, po hala s’ka gjet asgjë. Shokëve u ka thënë dua të largohem se kam frikë nga baba, ka ba disa sherre, i kam bërtit si të gjithë prindërit, i ka thënë shokëve para një jave do iki në Tiranë" shprehet babai për Report Tv.

Babai i adoleshentit thotë se nuk ka ushtruar dhunë fizike por vetëm i ka kërkuar llogari, ç’ka dyshohet se e ka irrituar 15-vjeçarin. Me lot në sy Agim Bibaj i bën thirrje të birit të kthehet në shtëpi sa më parë sepse e kërkojnë nëna, vëllezërit dhe motra.

"Është shprehur te shokët e vet që më ka bërtit babi, kam frikë se më rreh babi, e du të iki nga shtëpia. Jo dhunë fizike, vetëm i kam bërtit, për me i këshillu mos me bë sherre, mos me i ra kujt” është shprehet babai i djalit.

“Djalin kërkoj me u kthy te shtëpia, kush mund ta shohi i bëj thirrje me lajmëru. Djalit i bëj thirrje të kthehet te baba, te nana, ka dy vëllezër dhe motrën që e kërkojnë, që qajnë për të”, thotë Bibaj.

Kushdo që e sheh 15-vjeçarin, foton e të cilit sjell Report Tv, është i lutur të telefonojë në Policinë e Shkodrës ose në numrin personal të të atit, Agim Bibaj 0688148899.

15-vjeçari i zhdukur

Ora 17:26
Niset për në shkollë e zhduket, 15 vjeçari nga Shkodra gjendet pas dy ditësh në Tiranë! Iku se babai i bërtiti

1731409205_shkoder.jpg

Foto: Aurel Bibaj

15 vjeçari Aurel Bibaj nga Postriba  i cili prej dy ditësh kishte humbur kontaktet me familjen është gjetur nga policia e Shkodrës në bashkëpunim me komisariatin nr.5 në Tiranë dhe ndihmën e familjarëve. 15 vjeçari është gjetur në zonën e Babrrusë në Tiranë ndërsa ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Mëngjesin e djeshëm pasi ka lënë vëllain në shkollë, është larguar duke mos u futur në mësim dhe nuk ka shkuar as në shtëpi. Kjo ka shqetësuar prindërit ndërsa babai i tij Agim Bibaj denoncoi në polici rastin dhe ditën e sotme edhe në media duke thënë se djali tij sipas dëshmisë së shokëve të 15 vjeçarit është larguar pasi babai i kishte bërtitur që të sillej mirë.

Pas një angazhimi të policisë, adoleshenti u gjet nga forcat e policisë dhe i është dorëzuar familjes. Tashmë do të merret në pyetje në praninë e psikologëve për arsyet e largimit të tij nga banesa dhe po ashtu do të trajtohet me psikologë në mënyrë që të kuptojë veprimin e gabuar nga ana e tij.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?