Shkodër- Një aksident i rëndë i trefishtë ka ndodhur pasditen e sotme (4 korrik) në Kryebushat të Shkodrës, me bilanc një i vdekur dhe të paktën 3 të plagosur të tjerë, të gjithë anëtarë të familjes Bzhangaj.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:50, në aksin rrugor Shkodër-Lezhë dhe policia vendore informoi se ka qenë një aksident 'sanduiç', ku fillimisht në kamion u përplas me një mjet dhe më tej me makinën e viktimës.
Viktima është Gjin Bzhangaj, 37 vjeç, një prej shoferëve të mjeteve, kurse bashkëshortja 32-vjeçare, J. Bzhangaj, që udhëtonte me të dhe 2 fëmijët e tyre të mitur, u plagosën dhe ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Nga mjetet e tjera nuk u raportuan të dëmtuar apo viktima.
“Shtetasi T. K., 42 vjeç, duke drejtuar kamionin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë është përplasur fillimisht me automjetin me drejtues A. S., 63 vjeç dhe më pas është përfshirë në aksident edhe automjeti me drejtues shtetasin Gj. B., 37 vjeç. Si pasojë e përplasjes, ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër shtetasi Gj. B., ndërsa janë dëmtuar bashkëshortja e tij, shtetasja J. B., 32 vjeçe, dhe dy fëmijët e mitur, pasagjerë në të njëjtin automjet. Të dëmtuarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia vendore.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit, teksa po heton shoferin 63-vjeçar të kamionit.
Gazetari i Report Tv, Ergys Kavaja, informon se Policia Rrugore ka mbërritur në vendin e ngjarjes për të nisur hetimet dhe përcaktuar shkaqet apo përgjegjësit e aksidentit.
Report Tv ka siguruar edhe pamjet e aksidentit tragjik, ku vetura e viktimës është shkatërruar pothuajse e tëra duke u bërë copash nga përplasja, kurse dëmtime ka marrë edhe një prej mjeteve furgon që u përplas i pari nga kamioni që ka mbetur në mes të rrugës pas goditjes.
Komente
