Shkodër- Aksidenti i rëndë me bilanc një person të vdekur dhe tre të plagosur, mes tyre gruaja dhe dy fëmijët e mitur të viktimës, ka çuar në pranga drejtuesin e kamionit që dyshohet se ishte shkaktari i ngjarjes së ndodhur dje në rrugën Shkodër-Lezhë, në Kryebushat.
Policia vendore njoftoi sot (5 korrik), se pas hetimeve paraprake, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan A. S., 63 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Policia Rrugore nga hetimet paraprake dyshon se ka qenë pakujdesia e të ndaluarit që solli aksidentin zinxhir, por hetimet janë ende aktive.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:50 të ditës së djeshme, në aksin rrugor Shkodër-Lezhë, ku fillimisht kamioni u përplas me një furgon dhe më pas me veturën ku udhëtonte viktima 37-vjeçar, Gjin Bzhangaj dhe 3 anëtarët e familjes së tij.
Përplasja ishte aq e fortë sa mjetet nga ky aksident zinxhir u dëmtuan rëndë, sidomos vetura e viktimës, teksa bilanci mund të kishte qenë edhe më tragjik. Gruaja 32-vjeçare dhe dy fëmijët e saj u transportuan në spital, pa rrezik jete, kurse hetimet për aksidentin po vijojnë ende.
Komente
