Vijon operacioni i Policisë në kuadër të asgjësimit të parcelave me kanabis në qarkun e Shkodrës. Përmes një njoftimi zyrtar për mediat blutë informojnë se kanë gjetur dhe asgjësuar 19 739 fidanë dhe bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa.
Në kuadër të operacionit antikanabis do të hetohet në gjendje të lirë kryetari i fshatit Kir, për shpërdorim detyre dhe roja i mjedisit, për shpërdorim detyre dhe për moskallëzim krimi.
Siç shihet edhe nga pamjet fillimisht policia ka monitotuar zonën me helikopterë dhe pasi ka konstatuar zonat ku ishte mbjellë kanabisi kanë vijuar punën për të asgjësuar bimët dhe fidanët përmes djegies.
Njoftimi i policisë
Si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, bazuar dhe në inteligjencën policore, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, kanë gjetur të kultivuara dhe kanë asgjësuar 1094 fidanë dhe 18 645 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, konkretisht:
-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën në territorin e njësive administrative Shalë, Pult, Postribë dhe Gur i Zi, dhe asgjësuan 201 fidanë dhe 651 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve për këto raste, nisi procedimi në gjendje të lirë, për kryetarin e fshatit Kir, shtetasin S. H., për shpërdorim detyre, dhe për rojën e mjedisit, shtetasin L. A., për shpërdorim detyre dhe për moskallëzim krimi;
-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën në territorin e njësive administrative Shllak dhe Temal, dhe asgjësuan 893 fidanë dhe 16 700 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa;
-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë gjetën në territorin e njësisë administrative Qerret dhe asgjësuan 1050 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa;
-Shërbimet e Stacionit të Policisë Fushë Arrëz gjetën në territorin e njësisë administrative Iball dhe asgjësuan 174 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa;
-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën në territorin e njësisë administrative Shkrel dhe asgjësuan 70 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të këtyre rasteve të kultivimit.
Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata”, vijon.
Komente
