Shkodër/ Benet Beci pret në zyrë krerët e komuniteteve fetare: Takimi i sotëm mesazh bashkëpunimi për t’i çuar gjërat përpara

16 Dhjetor 2023, 19:37| Përditesimi: 16 Dhjetor 2023, 20:03

  • Share

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka pritur në një takim në zyrën e tij krerët e komuniteteve fetare, në një moment të rëndësishëm, siç u shpreh ai “në mbyllje të një viti dhe në prag të vitit të ri 2024.”

Bukë, kripë e zemër, siç janë traditat shqiptare, ishin motivet që shoqëruan këtë takim që vjen në frymën e harmonisë dhe bashkëpunimit mes institucioneve.

“Në qoftë se ka një fjalë shumë të bukur për mikpritjen se kisha qejf me nda me ju është ajo bukë e kripë e zemër. Shenjë simbolike mendova që kështu bashkë mund të ndajmë këtë edhe si ogur të mirë për qytetin edhe si mbarësi, për qytetin dhe për vitin e ri që vjen. Besoj se e kemi detyrë dhe kënaqësi për ta vazhduar këtë vlerë të harmonisë. Kemi qenë në të mira dhe në ditët më të lavdishëm të Shkodrës edhe në ditët e errëta të diktaturës, kemi qenë me njëri tjetrin bashkë. Kemi qenë në festa e kemi qenë në ngushëllime. E kemi qenë me njëri tjetrin me besim dhe mbështetje për të ecur përpara, për mos të humbur besim dhe për të vazhduar. E shoh edhe si detyrë dhe jam gëzuar që sot jemi bashkë të gjithë, ndoshta dhe si mesazh i bashkëpunimit për t’i çuar gjërat përpara”,- u shpreh Beci.

Për komunitetet fetare ky është një takim i rëndësishëm dhe i frytshëm, për t’iu drejtuar të gjithë banorëve në Shkodër për bashkëpunim të ndërsjelltë dhe solidaritet, që Shkodra e ka në traditën e saj…..

“Është një nga rastet e rralla që ndodh, ka ndodhur dhe herë tjetër, por shumë rrallë, me vite më përpara. Unë do t’ju them diçka, harmonia fetare në Shkodër është me breza. Shkodra e pas larguar me kohë mentalitetin fshataresk ballkanik që ka pasur. Të mundohemi t’i përçojmë sa më tepër këtij populli dhe kësaj rinie fjalët më të mira të harmonisë dhe dashurisë me njëri tjetrin”,- tha At Aleksandër Petani, drejtues i Kishës Ortodokse Shkodër.

“Ne jemi në qytet, jemi qytetarë shkodranë është mirë që së bashku t’i japim këto urime. Janë gjëra të bukura se kur bashkohemi dhe takohemi është një gur që ne ndërtojmë në ecjen tonë së bashku. Çdo takim ka gjithmonë një gjë pozitive”,- u shpreh Monsinjor Angelo Massafra – Arqipeshkëv i Dioqezës Shkodër.

Ftesa dhe takime në të cilat ruhet dhe garantohet dinjiteti i përkatësisë së gjithë secilit dhe ku ne nuk lejojmë të ulet emri i komunikimit dhe pjesëmarrjes, patjetër që janë takime të dobishme dhe takime me vlerë të cilat na shërbejnë të gjithëve dhe janë një impakt i asaj frymë të madhe që ne kemi për detyrë për ta përhapur në mesin e njerëzve”,- tha Imam MUhamed Sytari, Myfti i Shkodrës.

Të pranishëm në këtë takim kanë qenë edhe Kryetari i këshillit Bashkiak të Shkodrës Oltion Luli, nënkryetarët e Këshillit si dhe kryetarët e grupeve të këshilltarëve të gjitha forcave politike, duke dhënë mesazhin e bashkëpunimit të ndërsjelltë në të mirë dhe në zhvillim të Shkodrës.

K.M//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?