Kultura

Shkodër/ Çelet ekspozita me veprat e fotografëve Dedë Jakova, Gegë Marubi dhe Pjetër Rraboshta në Muzeun ‘Marubi’

21 Mars, 17:35| Përditesimi: 22 Mars, 09:31

  • Share

Imazhe nga arkiva e tre mjeshtrave të fotografisë shqiptare, Gegë Marubi, Pjetër Rraboshta dhe Dedë Jakova vijnë në ekspozitën “Venus”, çelur në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” dhe që ndjek gjurmët e një skulpture që shfaqet në repertorin e këtyre fotografëve. Në qendër të ekspozitës është Shtëpia e Mark Kakarriqit në Shkodër, e njohur më vonë si Shtëpia e Pionierit, ku janë zhvilluar ngjarje të rëndësishme historike dhe artistike.

Një nga momentet kyçe është ai i vitit 1940 me inskenimin e “Dasmës shkodrane” për Institutin “Luce”, një dokumentar që nuk u realizua kurrë.

“Ideja ishte të krijojmë një ekspozitë ku ata fillojnë e bëhen njësoj me njëri-tjetrin, përkthejnë të njëjtën gjë dhe këtë ua bën të mundur edhe mjeti fotografik. Por perceptohet te ky ndryshim i natyrshëm që sjell realiteti vetë, para të cilit ata janë dokumentuesit më të rëndësishëm për momentin, që ne njohim në arkivin tonë”, tha Lek Gjeloshi   kurator i ekspozitës.

Ndërsa drejtuesi i muzeut "Marubi", Luçian Bedeni tregon risitë e këtij sezoni.

“Gjithmonë muzeu ka treguar vëmendje të veçantë për hulumtimet arkivore. Kjo ekspozitë është një punë e gjatë hulumtuese. Është ekspozita e parë me hulumtime në koleksionin e Dedë Jakovës, Gegë Marubit, Pjetër Rraboshtës. Ekspozita e dytë e cila do të hapet do të jetë vërtet madhore. Ekspozita e dytë do t’i referohet jetëzimit të Pazarit të Shkodrës”, u shpreh Bedeni.

Kjo është ekspozita e parë në muzeun “Marubi” për këtë vit dhe do të qëndrojë e hapur deri më 1 qershor, duke ofruar një rrëfim të veçantë mbi historinë dhe artin e fotografisë shqiptare.

R.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?