“Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno” është ekspozita më e re që u çel në Muzeun e Fotografisë “Marubi”. Ajo vjen në kuadër të Ditës Botërore të Fotografisë në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë, e kuruar nga Luçjan Bedeni.
Ekspozita fotografike sjell një panoramë të përgjithshme të Shkodrës së viteve të para të shekullit XX përmes aktivitetit të dy atelieve “Marubi” dhe “Idromeno”.
“Ia kushtojmë këtë ekspozitë pionerëve të fotografisë, aktivitetit të dy studiove fotografike të fillimshekullit XX. Kjo ekspozita është e orientuar tek fasadat, siç është rruga e Gjuhadolit, ku në këtë rrugë Idromeno shpalos gjithë mjeshtrinë e tij”, tha Luçjan Bedeni, drejtor i Muzeut të Fotografisë “Marubi”.
Drejtuesi i Institutit të Antropologjisë Olsi Lelaj tregon rreth bashkëpunimit me Muzeun “Marubi” ku vlerëson kontributin e personave në ruajtjen dhe konservimin e këtyre koleksioneve me rëndësi historike.
“Këto koleksione janë ruajtur nga studiusi Rrok Zojzi i cili i ka bërë pjesë të arkivës së Antropologjisë”, tha Olsi Lelaj Drejtor i Instituti i Antropologjisë.
Ekspozita fotografike “Vëllezërit Kodheli dhe Idromeno” është e dyta për këtë vit e Muzeut “Marubi”. Ajo do të qëndrojë e hapur deri me 10 nëntor të këtij viti.