Politikë

Lagjja historike e Zdrales në Shkodër do kthehet në pedonale! Rama me Benet Becin inspektojnë punimet

10 Janar, 14:52| Përditesimi: 10 Janar, 19:22

  • Share

SHKODËR -Lagja më e vjetër e qytetit të Shkodrës, zona historike 300 vjeçare e Zdrales, do të pësojë një ndryshim rrënjësor, duke bërë më të prekshëm premtimin që kryeministri Rama ka bërë për transformimin e këtij qyteti.

Gjatë një vizite në Shkodër, në krah të kryetarit të bashkisë Benet Beci, Rama inspektoi nga afër punimet e kësaj zone të njohur për aktivitet tregtar, e cila do të kthehet në pedonale.

Rehabilitimi I kësaj zone kap vlerën e 2.5 mln eurove dhe parashikohet të përfundojë brenda muajit qershor, ndërsa kryeministri Rama la porositë e tij të fundit. Kryeministri thotë se ky projekt do e transformojë dhe vlerën ekonomike të zonës, duke përfshirë banesat dhe bizneset aty që do përfitojnë nga zhvillimi dhe tërheqja atraktive.

Nuk munguan as batutat me qytetarët në zonë, një prej të cilëve i kërkoi Ramës të vinte për kafe, por kryeministri u shpreh se duhet bërë puna më parë.

'A ta bëjmë punën një herë pastaj kafen, a të keqen vëllai?'

Tregu i rusit ka tashmë 115 vend shitje të reja, projekt i cili ka përfunduar për muaj.

"Po përfundojmë projektin dhe shumë shpejt fillojmë me pjesën e thertores që do të jetë për mishin dhe peshkun", tha kryebashkiaku Benet Beci. 

Së bashku me 2 ministret e kabinetit të tij, vizitën e shfrytëzoi për të inspektuar edhe ndryshimet që qeveria ka bërë në shëndetësi e arsim. Objektivin për të shtuar terrenet sportive në shkolla e nisën nga shkolla e mesme “Adem Haxhija” në Postribë të Shkodrës.

Nga afër pa edhe Poliklinikën e Specialiteteve e cila është rikonstruktuar me kushte moderne dhe aparatura të reja diagnostikuese.

Në këtë qendër janë shtuar 9 shërbime të reja, duke e ccuar numrin e shërbimeve në 22, ndërsa stafit i janë bashkuar edhe 10 mjekë të rinj për shkak të autonomisë spitalore.  I gjithë investimi për rikonstruksionin e godinës ka kushtuar 120 mln dhe do të ofrojë shërbim për rreth 200 mijë banorë.

Ora 17:15
Rama inspekton fushën sportive në shkollën ‘Adem Haxhija’ në Postribë! Manastirliu: 6 milionë euro për investimet në Shkodër

 

Kryeministri Edi Rama inspektoi fushën e re sportive në shkollën e mesme të bashkuar “Adem Haxhija” në Postribë, pjesë e Programit “Ekipet Sportive në Shkolla”. Investimi synon krijimin e infrastrukturave moderne për të gjallëruar jetën sportive të të rinjve në zonë.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, shpjegoi gjatë vizitës se investimi përfshin fusha për basketboll, volejboll dhe futboll, ndërsa theksoi se 6 milionë euro janë vënë në dispozicion për investimet në Shkodër.

“Sapo kanë mbaruar terrenet sportive, fushë basketbolli, volejbolli edhe kalçeto. Praktikisht kështu merr jetë edhe shkolla - qendër komunitare sepse gjatë pasdites do të vijojnë të jenë të hapura dhe do të organizohemi me Komitetin Olimpik , pra edhe me trajnerët. Në Shkodër po investojmë për tre shkolla, terrene sportive dhe investimet për palestra. Është shkolla “Adem Haxhija”, shkolla “Dëshmorët e Prishtinës’’ dhe “Preng Jakova” dhe ndërkohë jemi duke investuar edhe për rehabilitimin e dy shkollave dhe palestrave të tyre,  “Ndre Mjeda’’ dhe “Kolë Idromeno’’ – informoi Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, e cila shtoi se për herë të parë pas kaq vitesh bashkia Shkodër po aplikon  për projekte të reja. “Janë 6 milionë euro të vëna në dispozicion për investimet në Shkodër. Janë 3 miliardë lekë të vëna në dispozicion për gjithë investimet në sistemin arsimor në të gjithë vendin. Ne po punojmë që të hapim dhe kantiere të reja për shkolla për vitin 2025. ” – u shpreh ajo.

Ndërsa drejtuesja e institucionit, njëkohësisht ish nxënëse në këtë shkollë falënderoi në emër të stafit, ndërsa pohoi se shkolla nuk ka patur kurrë një infrastrukturë të tillë.

“S’kemi pasur fushë asnjëherë. Është fat dhe ju falënderoj në emër të stafit, të nxënësve të shkollës që u bë i mundur realizimi i këtyre terreneve sportive, pasi ne kemi potenciale sportive. Është një zonë arsimdashëse dhe sportdashëse dhe ne ju falënderojmë përzemërsisht, edhe Ministrinë e Arsimit, kryetarin e bashkisë që bënë të pamundurën për të realizuar këto terrene.”

Ora 17:11
Rama inspekton Tregun e Rusit në Shkodër! Benet Beci: Rikonstruktimi në kohë rekord

 

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot Tregun e Rusit në Shkodër, një hapësirë që dikur përballej me kushte të vështira higjeno-sanitare, ndërsa sot është transformuar në një treg modern dhe funksional. Tregu i rinovuar, i cili është bashkëfinancim i Bashkisë Shkodër dhe Agjencisë për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor (AZHBR), përfundoi në muajin dhjetor dhe tashmë ofron kushte optimale për tregtarët dhe konsumatorët.

Kryeministri Edi Rama, u rikthye këtu vetëm disa muaj pas vizitës së tij në mars të vitit të shkuar, ku premtoi për banorët dhe tregtarët infrastrukturën e re, që tashmë është realitet.

Në inspektimin e tij, Rama u shoqërua nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili shpjegoi detaje mbi investimin dhe projektet e ardhshme për zonën.

“Ky është bërë komplet nga e para. Janë rreth 115 vende shitjeje të reja komplet. E kemi mbaruar relativisht në kohë rekord. Arritëm ta mbarojmë përpara Vitit të Ri që të përdorej si markatë. Për 5 muaj është ndërtuar. Kjo ka përfunduar, është në kushte të mira. Kemi aplikuar për pjesën e dytë siç e kemi diskutuar. Kemi fituar tek Ministria një projekt prej 300 mijë eurosh. Po përfundojmë projektin dhe shumë shpejt fillojmë me pjesën e thertores që do të jetë për mishin dhe peshkun. Do të bëjmë dhe ndonjë rregullim të vogël që mund të duhet.” – u shpreh kryetari i Bashkisë Beci, i cili shpjegoi edhe lidhur me projektet e tjera rreth zonës së tregut.

“Në këtë zonë, përveç tregut që po bëhet dhe pjesës së pallateve, kemi disa ndërhyrje. Përveç pjesës së fasadave, kapotave, këtu mbrapa kemi dhe dy projekte të tjera që është fusha e lojërave dhe konviktet.

Ky është projekti i fushës dhe kemi filluar punën për konviktin me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. 

Projekti që kemi bërë për mobilitetin, kemi nxjerrë tre parkime kryesore të qytetit; një është në Rus që është këtu dhe do të jetë nëntokësor, është një në Perash dhe tjetri që kemi poshtë Zdralës. Praktikisht, e gjithë zona këtu ka ndryshuar edhe me pjesën e fasadave, kapotave dhe infrastrukturës. Pra, i gjithë aksi nga hyrja deri në dalje të Shkodrës është komplet i rinovuar.” – shpjegoi Kryetari i Bashkisë Beci.

Ora 13:44
Shkodër/ Rama viziton Poliklinikën e Specialiteteve, do ofrojë 22 shërbime! Risi në specialitete si kirurgjia, ortopedia apo infektivi

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Shkodër për të parë nga afër Poliklinikën e Specialiteteve, e cila është rikonstruktuar me kushte dhe aparate të reja diagnostikuese. Rama ishte i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, Albana Koçiu dhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci.

Poliklinika e Specialiteteve do jetë e pajisur me aparatura të reja diagnostikuese për rreth 200,000 banorë, bën me dije kryeministri. Poliklinka mbulon 1300 m2, me vlerë 120 milioë lekë të reja. Ndërkohë shërbimet janë zgjeruar nga 14 në 22.

Risi në këtë investim janë specialitete si kirurgjia, ortopedia, infektiv, toksikologjia, obstetrik-gjinekologjia dhe pediatria, fizioterapia, si dhe kabinetet moderne për imazheri, radioogragi, ekografi, mamografia dhe ORL.

G.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Shkodra: 10/01/2025 19:08

    Të lumtë Edi Rama, Shkodrën po e ban lule! E ke t’fitume k’saj rralle!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?