SHKODER- Edison Oruqi, është gjetur i mbytur në ujërat e lumit të Shalës, në Koman.
Sipas njoftimit të policisë trupi i pajetë i 40 vjeçarit është gjetur sot (22 janar) rreth orës 1:00. Deri më tani në prani të ekspertit mjekoligjor, në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune.
Kanë qenë familjaret të cilët kanë kryer kontrolle gjatë paradites se sotme dhe kanë bërë të mundur gjetjen e trupit të pajetë.
Ata kërkojnë ndihmën e policisë dhe palombarëve për nxjerrjen e kufomës nga uji të trupit të pajetë, sepse e kanë të pamundur për shkak të rrjedhës së ujit.
"Sot, rreth orës 1:00, në breg të lumit të Shalës, është konstatuar trupi i pajetë i shtetasit Edison Oruqi, 40 vjeç, i cili dyshohet se është mbytur. Nga këqyrja paraprake e trupit, në prani të ekspertit mjekoligjor, nuk janë konstatuar shenja dhune. Vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës.
Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle të pandërprera për gjetjen e këtij shtetasi, që pas kallëzimit të bashkëshortes së tij, për humbjen e kontakteve me të", informoi sot policia.
Babai i 3 fëmijeve u zhduk në mënyrë misterioze, paraditen e së shtunës.
Ai ishte duke punuar në një bujtinë atje. Dyshohet se personi që e kishte marrë në punë viktimën, pas punës, e kishte lënë Edisonin në një zall të vogël me rërë dhe jo në destinacion, sepse aty nuk arrinte varka.
Komente
