SHKODËR- Një grup prej 5 të rinjsh, nga Bajza e Kastratit, të cilët mbetën të bllokuar pasi kishin shkuar në Fushë-Zezë, 20 km në veri të Razmës në Malësi të Madhe, për të bërë ski, janë shpëtuar nga policia.
Ata janë mirë nga gjendje të mirë shëndetësore, me përjashtim të njërit prej tyre që ka shqetësime por pa rrezik. Ky i fundit është vënë në barelë dhe po transportohet në krah nga policia për në Razëm ku pret autoambulanca, shoqëruar nga shokët e tij dhe policia.
5 të rinjtë kishin shkuar në Fushë të Zezë për të rrëshqitur me ski, por temperatura e ulët, në kushtet kur dëbora atje është mbi 1 metër trashësi, e vuri në rrezik jetën e tyre pasi nuk mund ta përballonin kthimin.
Në këto kushte nisi në orët e pasdrekës operacioni shpëtimit nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë Shkodër, policia e Malësisë së Madhe, shërbimi shëndetësor dhe banorët e zonës, operacion i cili rezultoi i suksesshëm pasi shpetoi jetën e 5 të rinjve nga Bajza e Kastratit.