Shkodër- Një 34 vjeçar është vënë në pranga nga policia e Shkodrës, pasi kishte vjedhur në një banesë një sasi eurosh, disa bizhuteri, një televizor, sende të ndryshme, me automjetin e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, pas marrjes së kallëzimit nga shtetasi E. N.,25 vjeç, se i kishin vjedhur me thyerje në banesën e tij, bizhuteri, para dhe sende të tjera me vlerë, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën për kapjen e autorit.
Në kuadër të operacionit policor të koduar "Gjurmimi", u bë i mundur identifikimi arrestimi në flagrancë i shtetasit B. H., 34 vjeç, banues në Shkodër.
‘Nga veprimet hetimore, dyshohet se ky shtetas, gjatë kohës kur nuk kishte njëri në shtëpi ka hyrë në banesën e shtetasit E. N., ku dyshohet se ka vjedhur një sasi eurosh, disa bizhuteri, një televizor dhe sende të ndryshme, një pjesë e të cilave u gjetën gjatë kontrollit të banesës së 34-vjeçarit dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me dy celularë dhe me automjetin’, njoftoi sot policia.
Vijon puna nën drejtimin Prokurorisë për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.