Foto Ilustruese

Sociale

Shkodër/ Konfirmohet rasti i parë i murtajës së bagëtive të imëta në Postribë! Autoriteti i Veterinarisë: S'ka rrezik për njerëzit

4 Qershor, 21:35| Përditesimi: 4 Qershor, 22:25

  • Share

Shkodër-Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka njoftuar se është konfirmuar rasti i parë i murtajës së bagëtive të imëta, e cila njihet si Murtaja e Ruminantëve të Vegjël në vendin tonë.

Rasti është identifikuar në një fermë të mbarështimit të dhive në fshatin Postribë, në Shkodër.

Sipas njoftimit, mostrat e marra nga Shërbimi Veterinar janë analizuar nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, i cili ka konfirmuar praninë e virusit.

'Rasti është identifikuar në një fermë të mbarështimit të caprinëve (dhi) në njësinë administrative Postribë, qarku Shkodër. Mostrat e marra në terren nga Shërbimi Veterinar janë analizuar nga laboratori referencë i Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, i cili ka konfirmuar praninë e virusit PPR.

Pas konfirmimit të rastit, janë ndërmarrë menjëherë të gjitha masat e parashikuara në legjislacionin përkatës dhe në Planin Kombëtar të Kontigjencës për PPR, me qëllim kontrollin, izolimin dhe menaxhimin efektiv të situatës në terren', thuhet në njoftim.

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve u ka bërë thirrje fermerëve që të kufizojnë lëvizjen e deleve dhe dhive, ndërsa thuhet se murtaja nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet asnjë rrezik për shëndetin publik.

U bëjmë thirrje të gjithë fermerëve dhe mbarështuesve të kafshëve të imta (dele dhe dhi) që të zbatojnë masat parandaluese dhe të kufizojnë lëvizjen e kafshëve brenda dhe jashtë fermave. Në çdo rast të shfaqjes së simptomave të dyshimta, si temperaturë e lartë, rrjedhje nazale, inflamacion i syve, ulje e oreksit, diarre apo ngordhje e papritur, duhet të njoftohet menjëherë Shërbimi Veterinar Rajonal përkatës ose të kontaktohet numri i gjelbër falas: 0800 3366.

Theksojmë se Murtaja e Ruminantëve të Vegjël nuk është sëmundje zoonotike, pra nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet asnjë rrezik për shëndetin publik.

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtes së Bimëve, në bashkëpunim me strukturat përkatëse, do të vijojë ndjekjen e situatës me seriozitet dhe do të informojë publikun në mënyrë të vazhdueshme për çdo zhvillim', thuhet në njoftim. 

Ferma në Postribë, u karantinua ditën e djeshme (3 qershor) pas ngordhjes së bagëtive të imëta. Ndërkohë, aty u morën nga Shërbimit Veterinar në Shkodër, mostra gjaku nga bagëtitë për analizim në laboratorin veterinar në Tiranë, dhe rezultatet konfirmuan rastin e parë të murtajës së bagëtive të imëta.

Çfarë është Murtaja e Ruminantëve të Vegjël?

Murtaja e Ruminantëve të Vegjël (PPR), e njohur edhe si Peste des Petits Ruminants, është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek kafshët e imta, kryesisht delen dhe dhitë. 

Përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë mes kafshëve, nëpërmjet: sekrecioneve nga hunda dhe sytë, jashtëqitjes, ajrit të kontaminuar në ambiente të mbyllura.

Simptomat tek kafshët e prekura përfshinë temperaturë e lartë, rrjedhje nga hundët dhe sytë, inflamacion në gojëm vështirësi në frymëmarrje, diarre e fortë, dobësi, mungesë oreksi.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?