Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci ka pritur sot në bashki Ambasadoren e Japonisë në vendin tonë Kato Kikuko dhe Përfaqësuesen e Përhershme të UNDP-së, Monica Merino, ku është bërë edhe dorëzimi i dy sistemeve fotovoltaike diellore të cilat janë vendosur në dy kopshte të qytetit të Shkodrës.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes në ambientet e bashkisë Shkodër, kryebashkiaku së bashku me ambasadoren dhe përfaqësuesen e UNDP-së kanë qenë pranë kopshtit “Ngjyrat” që është një nga përfituesit e këtij projekti.
Në intervistën dhënë për mediat Kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci u shpreh se ky është vetëm një hap i parë i këtij bashkëpunimi në godinat e dy kopshteve në Shkodër, ndërkohë që kjo iniciativë do të vijojë edhe në godina të tjera.
Ambasadorja e Japonisë në Shqipëri, KATO Kikuko, theksoi: "Në qendër të këtij projekti është mbështetja për përpjekjet e Shqipërisë në dekarbonizim dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Ne shpresojmë që instalimi i sistemeve fotovoltaike diellore në këtë bashki të kontribuojë në diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë përveç energjisë ujore në Shqipëri. Instalimi i sistemeve fotovoltaike diellore gjithashtu do të kontribuojë në furnizimin e qëndrueshëm të energjisë elektrike dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në Shqipëri."
Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri, Monica Merino, nënvizoi:"Jam mirënjohëse Qeverisë se Japonisë për partneritetin dhe mbështetjen e tyre të çmuar, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vende të tjera nëpër botë, në përpjekjen tonë të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme me zero-emetime. Qeveria e Japonisë është një partner i rëndësishëm i UNDP-së dhe luan një rol të rëndësishëm në përkthimin e zotimeve të klimës në veprime të prekshme në terren."
Këto instalime, nga të cilat përfitojnë dy kopshte publike në Shkodër, nënvizojnë ndikimin e dukshëm të zgjidhjeve për energjinë e qëndrueshme në komunitetet lokale. Kapaciteti i sistemeve fotovoltaike diellore të instaluara është 100 kWp duke kursyer kështu rreth 32,061 Euro çdo vit.