SHKODER - Kulla e Inglizit, monument i kategorisë së parë në Shkodër, nga dita në ditë po shkon drejt degradimit.
Dekorimet e shënimet historike mbi këtë kullë po humbasin gjurmët.
Askush nuk po ndërhyn në këtë godinë historike, pasi sipas dy prej bashkëpronarëve të shumtë duhet një akt miratimi nga ata, shumica e së cilëve kanë vdekur ose janë në emigrim.
“Është për të ardhur keq. Kati i dytë është gjynah ti thuash monument kulture. Më mirë ta heqin si monument kulture dhe restaurimin ta bëjmë vetë. Kërkohet një akt miratimi nga të gjithë bashkëpronarët e objektit, sepse një pjesë e mirë nuk jetojnë më, një pjesë nuk ndodhet këtu” tha Adnan Ulqinaku, bashkëpronar
“Nuk duhet të pyeten bashkëpronarët. Nëse rregullohet nuk është vetëm e jona por edhe e Shkodrës, e turistëve që vijnë çdo ditë. Nuk ke çfarë me u tregu:’, tha Abdullah Çoba bashkëpronar
Të ndodhur në kushtet që nuk po mundet të bëhet asgjë për ndërtesën historike, dy nga bashkëpronarët, Adnan Ulqinaku dhe Abdullah Çoba kërkojnë nga institucionet që të marrin masa për të ndërhyrë, ose të ju lihet në dorë atyre. Gjendja në të cilët ndodhet kulla aq shumë e kërkuar nga turistët, sipas tyre është e pafalshme.
“E bëj vetë këtë restaurim, sipas kërkesave të drejtorive”
Kulla apo Sahati i Inglizit siç njihet gjerësisht është një ndërtesë me pamjen e një kështjelle të periudhës së aristokracisë mesjetare në Europë e ndërtuar nga lordi anglez Paget në çerekun e fundit të shek. XIX. Ajo përbëhet nga 16 dhoma aristokratike ku më e madhja është e ndërtuar me stil oriental.