Shkodër-Katër persona janë vendosur në pranga pasi dyshohen se në formën e grupit të organizuar nga një prej të arrestuarve ishin të implikuar në veprimtaritë kriminale të kultivimit, prodhimit dhe shitjes së kanabisit. Autorët janë identifikuar si Pajtim Lame, Bajram Bajrami, Dod Kunoraj, Ndue Lala.
Dyshohet se Ndue Lala merret me pastrimin e paravee cila vjen nga kjo veprimtari, informoi sot policia.
Arrestimi i tyre u krye në vendin e quajtur “Ura e Bardhajve” nga Policia e Shkodrës në bashkëpunim me Forcat Shqiponja. Gjatë kontrollit të makinës blutë gjetën një sasi të lëndës narkotike.
Sekuestrohet sasia e lëndës narkotike, automjeti tip “Mitsubishi” dhe 4 celularët e tyre.
Njoftimi i policisë:
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar "Rrethinat". Në kuadër të këtij operacioni u kapën në flagrancë, në vendin e quajtur “Ura e Bardhajve”, me lëndë narkotike Cannabis Sativa, me vete dhe në automjet, shtetasit N. L., 43 vjeç, P. L., 41 vjeç, B. B., 23 vjeç dhe D. K., 40 vjeç, të katërt banues në Shkodër.
Nga hetimet dyshohet se këta 4 shtetas, në formën e grupit të organizuar nga 43-vjeçari, ishin të implikuar në veprimtaritë kriminale të kultivimit, prodhimit dhe shitjes së Cannabisit. Gjithashtu, dyshohet se shtetasi N. L. pastron paratë/produktet e përfituara nga këto veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Shkodër, për veprime të mëtejshëm.