Shkoder- Vijon intensivisht megaoperacioni policor kombëtar i koduar “Territor i pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike në veri të vendit.
Kontrollet intensive nga toka dhe nga ajri, u kryen në zona me terren shumë të vështirë, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
I fundit ishte ai në Vau i Dejës ku shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, me mbështetjen e helikopterit të Forcave Ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes monitoruan të gjithë zonën.
Në kuadër të këtij operacioni në territorin e njësisë administrative Temal u asgjësuan 8000 bimë kanabisi dhe 4810 fidanë kanabisi. Policia thotë se nuk ka arritur të zbulojë se kush janë pronarët e këtyre parcelave me kanabis por se po punohet për arrestimin e shtetasve të implikuar në këtë veprimtari kriminale.