Policia e Shkodrës ka vijuar kontrollet për matjen e nivelit të zhurmave me qëllim parandalimin e ndotjes akustike dhe garantimin e qetësisë publike, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Në njoftimin zyrtar blutë informojnë se kanë ushtruar kontroll kryesisht në qytetin e Shkodrës dhe në zonën turistike të Velipojës.
Nga matjet që janë kryer me pajisje të certifikuara për nivelin e zhurmave, të gjitha subjektet e kontrolluara kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar të zhurmës.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shkodrës vijon kontrollet në kuadër të zbatimit të masave për sezonin turistik veror, me qëllim garantimin e rendit dhe qetësisë publike.
Gjatë fundjavës, strukturat e sigurisë publike të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër dhe Stacionin e Policisë Velipojë, kanë ushtruar kontrolle të shtuara në qytetin e Shkodrës dhe në zonën turistike të Velipojës, me fokus zbatimin e normave ligjore për ndotjen akustike.
Janë kryer matje të niveleve të zhurmës, në ambiente të hapura dhe të mbyllura, duke përdorur pajisje të certifikuara, sipas procedurave të standardizuara. Verifikimet janë zhvilluar në zbatim të ligjit nr. 9774, datë 12.07.2007, “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar, si dhe në përputhje me Udhëzimin e Përbashkët nr. 02, datë 15.11.2023, të tre ministrive përkatëse.
Të gjitha subjektet e kontrolluara kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar të zhurmës.
Po ashtu, janë monitoruar edhe oraret e lejuara për muzikë në ambientet e jashtme, të cilat duhet të respektojnë fashën orare në përputhje me aktet në fuqi për zonat turistike dhe të banuara.
Policia e Shkodrës mbetet e angazhuar për të garantuar një sezon turistik të qetë dhe të sigurt, si për banorët ashtu edhe për pushuesit vendas dhe të huaj.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke iu garantuar ndërhyrje të menjëhershme dhe të vendosur nga strukturat e Policisë së Shtetit.
Komente
