20 vite më parë, në një bisedë të zakonshme brenda familjes Jaku, në fshatin Juban të Shkodrës, mori jetë një ide që do të sfidonte kohën, krijimi i ekipit të parë të futbollit për vajza në Shqipëri. Aty, ku askush nuk e imagjinonte, nisi një revolucion i heshtur sportiv.
“Mori përmasa kombëtare dhe në vitin 2009 Federata Shqiptare e Futbollit fillon organizimin e saj dhe sot jemi në këto nivele, të një krenarie kombëtare. Mendoj se sot futbolli i femrave ka një rritje të nivelit dhe përfaqësim dinjitoz”, thotë Ferdinand Jaku, President i ekipit Juban Danja.
Sot, dy dekada më pas, themeluesi dhe presidenti i klubit Juban Danja, Ferdinand Jaku, kthehet pas në kohë me krenari. Jo vetëm për faktin se ishin të parët, por sepse nga ai hap i guximshëm lindi një kulturë e re sportive për vajzat shqiptare.
“Fatmirësisht në Shkodër mund të ndodhë që nga kjo farë e vogël sot ka përmasa të mëdha”, thotë Jaku.
Nisma e tij shënoi një pikë kthese. Nga rrënjët e Juban Danjës, do të merrte jetë edhe ekipi i vajzave i Vllaznisë dhe më vonë, do të krijohej edhe përfaqësuesja kombëtare, duke i dhënë futbollit të vajza një identitet dhe zë të fortë.
Në atë fillim modest, protagonistet ishin vajzat e tij, Loreta dhe Paula Jaku. Sot, të dyja në rolin e trajnerëve, kujtojnë me emocione sfidat, paragjykimet dhe ëndrrën që, përtej vështirësive, mori formë dhe u bë realitet.
“Thyem një tabu për futbollin në Shqipëri. Atëherë ishte vështirë, por sot është shumë më e lehtë",- tha Loreta.
“Fillimisht nisi si një lojë, sport thjeshtë, por më pas është kthyer në një pasion të madh. Gjithmonë kemi folur që atëherë për futbollin”,- u shpreh Paula.
Klubi Juban Danja, ashtu si Vllaznia e djemve në vitin 1919, është tashmë pjesë e historisë. Dy gurë themeli në qytetin ku futbolli shqiptar ka lindur dhe vazhdon të lulëzojë, një fidanishte e përhershme talentesh dhe shprese.
Komente

kur pasjoni dhe deshira jane atehere dhe reultatet jane ma se miri.I lumte miku tim Ferdinand Jaku per kete inisjative te vecante ne vendin tone.I uroj suksese se nuk jane pak por 2o vjet aktivitet futboll me femnat,Urime dhe Loretes dhe Paules se bashku me gjith vajzat e mira dhe te sjelleshme
Përgjigju