Për të dëshmuar se kanë një lidhje të ngushtë e që kurrsesi nuk do donte t’i bënte keq, 20-vjeçari italian Salvatore di Tella, tregoi në Gjykatën e Shkodrës 20 fotografi të tijat me Nicola Iorio, të dashurin 19-vjeçar të motrës së tij, i cili humbi jetën në plazhin e Velipojës, pasi u përplasën me JetSKi në det me njëri-tjetrin.
Në seancën ku mori pjesë i ati dhe konsulli italian, Gjykata caktoi arrestoi me burg për 50 ditë pasi nuk janë administruar ne dosje ekspertimi mjeko-ligjor dhe ai teknik i Jet Ski-ve.
I prekur për humbjen e shokut, 20-vjeçari i akuzuar për “vrasje nga pakujdesia” nuk mundi të flasë në seancë, por i qëndroi dëshmisë dhënë më herët në polici.
Report Tv mëson se pas ngjarjes, i riu ka dëshmuar në polici se u përplasën të dy me Jet Ski, por goditja nuk ishte e fortë dhe se asnjëri nuk ra në det. Sipas 20-vjeçarit vetëm disa minuta pas përplasjes ka ardhur një dallgë e madhe prej së cilës Nicola 19-vjeçar ka rënë në ujë dhe ka humbur jetën.
Trupi i 19-vjeçarit i cili humbi jetën më 18 Gusht pritet të mbërrijë të premten në Itali ku do të zhvillohet ceremonia mortore. Ndërsa mediat italiane citojnë prindërit e tij që kërkojnë drejtësi nga autoritetet shqiptare, ndërsa e dashura e të ndjerit, e njëherazi motra e të riut në paraburgim, kërkon lirimin e të vëllait.