Një fermë e mbarështimit të dhive në Postribe të Shkodrës është futur në karantinë dhe pritet te eliminohen gjithe kreret e prekura nga semundja e rrezikshme ngjitese “Murtaja e Ruminantëve të vegjël”.
Drejtori i përgjithshem i Autoritetit Kombetar të Veterinarisë, Sulejman Kullolli nga Shkodra deklaroi se ka urdhëruar ndalimin e lëvizjes së kafshëve në Bashkinë Shkodër dhe Malësi e Madhe, bllokimin e tregjeve dhe thertoreve për dhente.
Ndonëse sëmundja nuk transmetohet tek njerezit, mishi dhe qumështi i kafshëve të sëmura nuk lejohet të konsumohet për arsye sigurie.
“Siç jeni në dijeni, për herë të parë në Shqipëri u shfaq murtaja në një fshat në Postribë. Kjo sëmundje u njoftua nga fermeri më datën 3 qershor. Ferma është vënë në karantinë. Janë marrë mostra. Sot bëhet eliminimi i krerëve dhe do izolohet zona në 3 dhe 10 km. Ka dalë edhe urdhëri i Ministrit ku ndalohet lëvizja e kafshëve brenda territorit pra në Shkodër dhe Malësi e Madhe nuk lejohet lëvizja e kafshëve kjo për të parandaluar vazhdimin. Kjo sëmundje infektive prek të imtat, por nuk kërcënon shëndetin e njerëzve. Nga monitorimi kishim një indicie dje në një tjetër zonë. Ne u paraqitem në fermë, por nuk u konstatuan shenja të kësaj sëmundje. Me masat kufizuese, kanë dalë masat përkatëse dhe me institucione dhe po ndalojmë lëvizjen e kafshëve”, shprehet Sulejman Kullolli.
Fermerëve në mbarë vendin u kërkohet të kufizojnë lëvizjen e kafshëve ne tregje dhe në rast të simptomave si temperaturë e lartë, inflamacion i syve, diarre apo ngordhje e papritur, të kontaktojnë menjëherë shërbimin veterinar ose të telefonojnë në numrin pa pagese 0800 3366.
“Kemi të bëjmë me një ferme të vogël dhe nuk ka dalë as mishi e as qumështi i saj nuk ka dalë në treg apo në fabrikat e përpunimit. Nuk është sëmundje që transmetohet nga nënproduktet nëse zihen në temperatura të larta. Shërbimi veterinar ushtron kontrolle herë pas here dhe nuk kemi konstatime për ferma të tjera. I bëj thirrje çdo fermeri që kur ka dyshime, menjëherë te lajmërojë shërbimin veteriner më të afërt shtetëror apo privat. Shërbimi veterinar është në gadishmëri”, theksoi ai.
Ferma në Postribë, u karantinua më 3 qershor pas ngordhjes së bagëtive të imëta. Ndërkohë, aty u morën nga Shërbimit Veterinar në Shkodër, mostra gjaku nga bagëtitë për analizim në laboratorin veterinar në Tiranë, dhe rezultatet konfirmuan rastin e parë të murtajës së bagëtive të imëta.
Çfarë është Murtaja e Ruminantëve të Vegjël?
Murtaja e Ruminantëve të Vegjël (PPR), e njohur edhe si Peste des Petits Ruminants, është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek kafshët e imta, kryesisht delen dhe dhitë.
Përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë mes kafshëve, nëpërmjet: sekrecioneve nga hunda dhe sytë, jashtëqitjes, ajrit të kontaminuar në ambiente të mbyllura.
Simptomat tek kafshët e prekura përfshinë temperaturë e lartë, rrjedhje nga hundët dhe sytë, inflamacion në gojëm vështirësi në frymëmarrje, diarre e fortë, dobësi, mungesë oreksi.
Komente
